Dibrani: Laboratori për gazetarinë mobile do t’u shërbejë studentëve
Para disa ditësh është përuruar laboratori për gazetarinë mobile në Universitetin e Prishtinës, i cili do t’u shërbejë studentëve për praktikë të formës më të re të gazetarisë që po zhvillohet kudo në botë. Blerta Dibrani, ligjëruese në Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë, theksoi se hapësira është shumë moderne, është teknologjia më e fundit sa i përket gazetarisë mobile dhe UPpodcast, realizimit të podcast.
Sipas saj, kjo hapësirë do t’u shërbejë studentëve të rinj meqë aty do të kenë mundësi të praktikojnë formën më të re ose më bashkëkohore të gazetarisë.
Ajo në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, tregoi se aty ka pajisje të reja, telefon, mikrofon të vegjël dhe të gjitha pajisjet e nevojshme për ta praktikuar gazetarinë mobile.
Dibrani shtoi se së shpejti do ta fusin edhe si lëndë të veçantë në programin e studimeve bachelor, gazetarinë mobile, meqë me studentët kanë biseduar për gazetarinë mobile, por nuk e kanë si lëndë.
Egzona Berisha, studente, tha se kur ke pajisje të mira dhe teknologji të zhvilluar, edhe produkti final gjithmonë do të jetë më i mirë.
“Më herët kemi pasur vështirësi për t’i realizuar këto forma më të mira të mundshme, edhe vullneti është më i madh kur e di që një produkt final ka me qenë i kalibrit më të zhvilluar dhe shumë më i mirë për publikun dhe audiencën. Çdoherë këto iniciativa, kjo formë e inovacionit do ta ketë rëndësinë e vet për vetë faktin që do të ndihmojë në tregun e punës dhe për konkurrencën në të ardhmen e afërme tonën sepse ne kemi synimin të jemi pjesë e mediumeve në të ardhmen”, shtoi ajo.
