Bajrami falënderon votuesit: Besimi juaj më ka dhënë forcë dhe përgjegjësi të madhe

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka shprehur mirënjohjen e saj për mbështetjen e qytetarëve në zgjedhjet e fundit duke theksuar se deri më tani ka marrë 49,158 vota, trefish më shumë se në zgjedhjet e kaluara.

Në një mesazh falënderimi, Bajrami ka theksuar se vullneti i qytetarëve është i shenjtë dhe se do të vazhdojë të punojë me përkushtim për interesin e tyre. “Jam mirënjohëse dhe e prekur thellë nga besimi juaj. Ky është një nder i madh dhe një përgjegjësi akoma më e madhe për mua,” ka shkruar ajo.

Duke rikujtuar angazhimin e saj politik prej më shumë se një dekade e gjysmë, Bajrami tha se ka shërbyer si ministre tri herë dhe ka qenë në opozitë po aq herë. Ajo theksoi se gjatë mandatit të kaluar është fokusuar në dekonstruktimin e propagandës qeveritare dhe mbrojtjen e mirëqenies së qytetarëve.

“Besoj në ju, besoj në punën time dhe besoj në ato që them. E vërteta duhet gjithmonë të thuhet me zë të lartë,” theksoi Bajrami duke premtuar se do të vazhdojë të jetë zëri i qytetarëve dhe të angazhohet për rikthimin e LDK-së si forca kryesore politike në vend.

Në fund, ajo shprehu falënderimet e saj të përzemërta për të gjithë votuesit që e mbështetën duke u zotuar për një angazhim edhe më të madh në shërbim të qytetarëve. /Kosova.info/


Go to TOP