Muharremi: Pushteti po tkurret, opozita rikuperon terren nga zgjedhjet e 2021
Analisti politik Shenoll Muharremi ka deklaruar se pritjet e tij rreth rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme mbeten të pandryshuara duke iu referuar projeksioneve të publikuara në dhjetor. Sipas tij, ndryshimet që po ndodhin vetëm po konfirmojnë supozimet e mëhershme.
“Pushteti po tkurret natyrshëm pas një fitoreje historikisht të lartë, ndërsa opozita po rikuperon humbjet e thella nga viti 2021,” ka thënë Muharremi. Ai shtoi se kjo tendencë reflektohet edhe në diskursin elektoral të partive politike.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka prezantuar ende një program konkret, ndërkohë që duket e frustruar kur sulmon “establishmentin”, megjithëse tashmë është vetë në pushtet. Në anën tjetër, opozita po vepron me një qasje më pozitive, duke prezantuar projekte dhe programe konkrete dhe duke mbushur sallat shumë më tepër se në zgjedhjet e 2021.
Muharremi gjithashtu theksoi se regjistrimet e larta të diasporës janë një tregues i qartë i “korrektimit” të rezultateve të zgjedhjeve të kaluara dhe një ribalancim i përkrahjes politike në vend. Ai ka paralajmëruar se këto zhvillime mund të ndikojnë ndjeshëm në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. /Kosova.info/
