Çerkini: Nëse trupi gjykues është i njëanshëm, është sinjal për shqetësim

Pas Haxhi Shalës dhe Sabit Januzit, fajësinë para Dhomave të Specializuara në Hagë e ka pranuar edhe Ismet Bahtijari, ku Zyra e Prokurorit të Specializuar ka arritur marrëveshje me të pandehurit për dënim prej 2 vitesh burgim për të akuzuarin. Për ketë proces gjyqësor në Hagë, ka folur avokati i akredituar Artan Çerkini.

Ai tha se shpreson se gjykata i ka ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale që të bindet se pranimi i fajësisë është bërë më vullnetin e plotë të të pandehurëve, ngaqë siç thuhet, ata fillimisht janë deklaruar të pafajshëm e tek pas një viti qëndrim në paraburgim vendosen të pranojnë fajësinë.

Ai shtoi se gjykata duhet të jetë e vëmendshme.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka arritur marrëveshje për dënim prej 2 vitesh burgim për të akuzuarit Haxhi Shala, Sabit Jonuzi dhe Ismet Bahtijari. Lidhur me këtë Çerkini tha se këto janë rastet e para për arritje të marrëveshjes për pranim të fajësisë.

“Në të kaluarën nuk ka pasur marrëveshje për pranim të fajësisë dhe këto janë marrëveshjet e para dhe mbetet të shihet se si do të zhvillohen procedurat e tjera të cilat janë në zhvillim e sipër pranë Dhomave të Specializuara”, tha ai.

Çerkini tutje tha se nëse trupi gjykues është i njëanshëm, ky është një sinjal për shqetësim.

“Nuk është shqetësuese nëse prokuroria është e anshme, sepse roli i saj është që të akuzojë, por megjithatë edhe prokuroria ka për obligim ligjor që t’i prezantoj faktet dhe provat shfajësuese, mirëpo nuk na befason fakti edhe nëse është e njëanshme. E nëse trupi gjykues është i njëanshëm atëherë është një sinjal për shqetësim”, tha Çerkini.

Sipas tij deri më tani ankesat kryesore kanë qenë në lidhje me involvimin e tepërt të trupit gjykues në administrimin e provave dhe në marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

Ndërsa sa i përket aktakuzës së re ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Çerkini tha se provat kryesore mbi të cilat është ndërtuar ai akt akuzues, mbështeten në përgjimet të cilat janë realizuar në qendrën e paraburgimit. “Janë përdorur masat e veçanta hetimore”, tha avokati.

Sipas tij kur zbatohen masat e veçanta hetimore është një procedurë e veçantë e cila duhet ndjekur.

“Duhet të ekzistojë një dyshim i arsyeshëm se është kryer një vepër penale, duhet një kërkesë e prokurorit tek gjyqtari që të lejojë përgjimin”, tha Çerkini.

Ai shtoi se ende është shumë herët të bëhet një vlerësim i plotë i kësaj aktakuze.

Go to TOP