Von der Leyen viziton Tiranën në nisje të turneut ballkanik
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 23 tetor do të vizitojë Tiranën, si ndalesa e parë e turneut të saj në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ajo pritet të zhvillojë takime me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Ajo do të marrë gjithashtu pjesë në përurimin e Kampusit të Kolegjit Evropian në Tiranë.
Takimi me kryeministrin Rama është planifikuar për në orën 15:00, pas të cilit pritet të ketë një deklaratë për media. Ndërkohë, takimi me presidentin Begaj do të zhvillohet një ditë më vonë.
Gjatë turneut, von der Leyen do të fokusohet në mbështetjen e Bashkimit Evropian për vendet e rajonit, për të përshpejtuar reformat dhe përparimin në procesin e integrimit evropian. Kohët e fundit, BE-ja ka miratuar një Plan të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, që parashikon ndihmë prej 6 miliardë eurosh për rajonin. BE-ja ka miratuar gjithashtu agjendat e reformave për pesë shtete të Ballkanit Perëndimor, të cilat janë një kusht për përfitimin nga ky plan.
Pas Shqipërisë, më 24 tetor, von der Leyen do të vizitojë Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinën, ku do të shprehë mbështetjen e BE-së për zonat e goditura nga përmbytjet e 4 tetorit. Më 25 tetor, ajo do të qëndrojë në Serbi, për t’u takuar me presidentin Aleksandar Vuçiq. Më 26 tetor, do të vizitojë Kosovën për takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, përpara se të përfundojë turneun e saj në Mal të Zi.
