Aktorët e Teatrit Kombëtar kërkojnë rritje pagash ose grevë nga një nëntori

Aktorët e Teatri Kombëtar të Kosovës kërkojnë rritje pagash ose prej 1 nëntorit do të ketë grevë të plotë.

Në përputhje me orarin e paralajmëruar për grevën të hënën shfaqja e Teatrit Kombëtar të Kosovës, “1984”, në  festivalin “Skup Festival” nisi më një orë vonesë.

“Në shenjë solidariteti me kërkesat e Sindikatës së Artistëve të Teatrit Kombëtar, festivali ka zhvendosur për një orë të gjitha shfaqjet e festivalit. Falënderojmë drejtuesit e festivalit për mbështetjen e tyre ndaj kauzës sonë të drejtë”, ka njoftuar Shoqata Sindikale e Artistëve të Teatrit Kombëtar. 

Në të njëjtin njoftim, sindikalistët kanë bërë të ditur se hapat e tyre do të jenë më radikalë.  

“Sindikata do të vazhdojë me veprime të tjera sipas orarit të paralajmëruar deri më datën 1 nëntor kur, nëse deri atëherë s’do të ketë reflektim nga institucionet vendimmarrëse ne do të kalojmë në grevë të plotë kur do të anulohen të gjitha shfaqjet e parapara në programin e Teatrit Kombëtar të Kosovës”, theksohet në njoftim. /Kosova.info/

Go to TOP