Sonte mbahet koncerti i Shkurte Fejzës

Sonte mbahet koncerti për 50 vjetorin e karrierës së këngëtares Shkurte Fejza, por që njëkohësisht jepet edhe në prag të 25 vjetorit të çlirimit.

Këngëtarja Shkurte Fejza, tha për RTK se çdo tingull që çdo të dëgjojë publiku do të jetë live dhe për të është ‘sfidë, pasi që edhe këngët që do t’i këndojë janë patriotike. Unë do të këndoj live, se s’ka tjetër. Dua të falënderoj të gjithë djemtë dhe vajzat shumë të talentuar që japin maksimumin  që ky 50 vjetor që unë do ta shënoj të jetë sa më i suksesshëm”, tha këngëtarja Shkurte Fejza.

Ajo bëri me dije se disa nga këngët janë: “E kam emrin kosovar”, “Oj Kosovë oj nana ime”, “ Mora fjalë, “Xhamadani vija’, ‘Kosovë-Shqipëri”, etj.

Kjo ngjarje madhështore organizohet nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me RTK-në.

“Koncerti do të jetë live dhe në të janë të përfshirë emrat më të mëdhenj të kompozitorëve shqiptarë. Bashkë me Shkurte Fejzën do të performojnë edhe këngëtarët Ilir Shaqiri, Kastriot Tusha, Nikollë Nikprelaj dhe dy vajzat e Shkurtës, Gresa dhe Besiana. Koncerti do të përfshijë një repertor të gjerë të këngëtares Shkurte Fejza. Nga këngët folklorike, popullore dhe ato të lehta që pasqyrojnë luftën, dashurinë dhe ëndrrat e popullit shqiptar, duke u kthyer pas në kohë me copëza historie nga jeta jonë”, ka njoftuar MKRS-ja.

Koncerti “Shkurte Fejza – 50 vjet, Zëri i Kombit”, mbahet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë duke filluar nga ora 20:00.

Go to TOP