Ministrat e Rinisë dhe Arsimit të Ballkanit Perëndimor punojnë së bashku për një rajon më të mirë

Zyra Rajonale për Bashkëpunimin Rinor (RYCO), Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët në Shqipëri si edhe Ministria e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë organizuan Ministerialin Rajonal për Rininë dhe Arsimin në Tiranë të mërkurën, 8 dhjetor 2021. Në takim morën pjese ministrat dhe zëvendësministrat përgjegjës për Rininë dhe Arsimin në Ballkanin Perëndimor si dhe Ministri i Arsimit i Italisë.

“Të rinjtë janë aktorë qendrorë në ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme dhe paqësore në Ballkanin Perëndimor. Si të tillë, ata ndajnë shumë të përbashkëta, ndërkohë që shpresat dhe vlerat e tyre në të gjithë rajonin janë të lidhura ngushtë,” nënvizoi Sekretari i Përgjithshëm i RYCO, z. Albert Hani dhe shtoi se vetëm përmes veprimeve të përbashkëta mund të përparojmë si rajon duke respektuar vlerat e paqes, bazuar në mirëkuptimin reciprok, respektimin e të drejtave të njeriut, diversitetin, dinjitetin, solidaritetin, bashkëpunimin, tolerancën dhe respektin.

“Tani, më shumë se asnjëherë, të rinjtë janë zemra e Ballkanit dhe ne duhet të marrim të gjitha masat e nevojshme që kjo zemër të vazhdojë të rrahë. Ky takim rikonfirmon se rezultate të mëdha arrihen kur bashkojmë forcat për qëllimet e përbashkëta, por gjithashtu tregon një dritare shprese për bashkëpunimet e ardhshme, që tregon vullnetin e rajonit për tu kujdesur për rininë e tij,- theksoi znj Bora Muzhaqi, Ministër Shteti për Rininë dhe Fëmijët dhe shtoi se, sot, ne nuk po festojmë vetëm të rinjtë e Shqipërisë, por dhe të rinjtë e rajonit duke rikonfirmuar angazhimin tonë në forcimin e bashkëpunimit rajonal rinor.  

“Duke folur për vizionin e strategjisë së ministrisë së saj për arsimin cilësor, znj. Albana Tole, zëvendësministre e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, tha se ai bazohet në parimet e gjithëpërfshirjes dhe të të mësuarit gjatë gjithë jetës, duke mundësuar zhvillimin e potencialeve të individit, duke kontribuar në mirëqenien, forcimin e demokracisë dhe integrimin e mëtejshëm. “Takimi i sotëm është i një rëndësie të veçantë sepse u dha mundësinë pjesëmarrësve të shkëmbejnë përvoja në nivel rajonal dhe të mbështesin politikëbërjen që reflekton sfidat rajonale në edukimin e të rinjve tanë”, përfundoi ajo.

Duke pasur parasysh që të rinjtë duhet të përfshihen në politikat e qeverive të rajonit dhe rolin që duhet të luajnë ministritë e arsimit dhe rinisë, ky takim shërbeu si hapi i parë për të sjellë përfaqësuesit më të rëndësishëm qeveritarë të rajonit për të diskutuar mbi politikat rajonale rinore dhe ndarë praktikat e përbashkëta. Takimi rajonal gjithashtu rikonfirmoi rëndësinë e pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal të të rinjve në Ballkanin Perëndimor.

Pjesëmarrësit lancuan platformën e re online të RYCOs për të rinjtë – www.hajde.media. Faqja e internetit HAJDE është një platformë mediatike rajonale e dedikuar për të rinjtë, e drejtuar nga të rinjtë. Për më tepër, disa nga ministrat po marrin pjesë gjithashtu në ngjarjen rajonale mbi vullnetarizmin e organizuar nga projekti ROUTE WB6 i RYCO.

Rezultatet e takimit janë të përmbledhura në konkluzionet e kryesuesit. /Kosova.info/

Go to TOP