INPO: Komunat nuk hartojnë planin e prokurimit konform kërkesave ligjore

Organizata Iniciativa për Progres (INPO), në kuadër të projektit “Kërko Drejtësi: Fuqizimi i qasjes në drejtësi në Kosovë”, i cili mbështetet nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL)”, sot nëpërmjet konferencës për media ka publikuar raportin me titull “Planifikimi i prokurimit në mes të formalitetit dhe profesionalizmit”.

Hulumtuesi i Lartë në INPO, z. Qëndrim Arifi, pasi shpjegoi metodologjinë e hulumtimit, potencoi se planifikimi i prokurimit është një proces shumë i rëndësishëm për secilin autoritet kontraktues, për pasoj ky proces është i rregulluar me ligj dhe akte tjera nënligjore. Si hapi i parë në prokurimin publik, planifikimi është determinues edhe i fazave tjera të prokurimit, sepse një planifikim i mirë ndikon në suksesin e AK-së për vitin përkatës, dhe e kundërta një planifikim i dobët sjellë pasoja të pa parashikueshme për AK-në.

Monitoruesi i INPO-s, z. Diell Haxhimusa potencoi se rezultatet e hulumtimit tregojnë se asnjëra nga komunat e monitoruara nuk e ka planifikimin e prokurimit konformë kërkesave ligjore, përkatësisht planin e prokurimit nuk e kanë hartuar me të dhënat e nevojshme dhe të sakta lidhur me aktivitetet e planifikuara. Shumica e zyrtarëve të prokurimit dhe njësive kërkuese të komunave, procesin e planifikimit e shohin si përgjegjësi të përbashkët në mes tyre, ashtu siç e kërkon edhe ligji. Sa i përket bashkëpunimit të njësive kërkuese me zyrtarët e prokurimit rezulton se të njëjtit kanë një bashkëpunim të mirë edhe pse për çështje dhe problematika të njëjta gjatë zhvillimit të intervistave njësitë kërkuese dhe zyrtarët e prokurimit kanë dhënë përgjigje dhe qasje të ndryshme.

Haxhimusa shtoi se sa i përket hulumtimit të tregut lidhur me përcaktimin e vlerës së parashikuar të aktiviteteve, komunat janë të përqendruara në daljen në terren, ndërsa metodat e tjera vijnë shumë pak në shprehje, për pasoj vlera e parashikuar në plan është mjaftë e ndryshme me vlerën e kontratave të nënshkruara.

Hulumtimi gjen se manualet me çmime referente të KRPP-së nuk përdoren nga AK-të dhe nuk janë relevante për shkak të mos freskimit të tyre me çmimet reale të tregut. Nga intervistat e zhvilluara me zyrtarët e prokurimit rezulton se jetësimi i listave me çmime referente do ta lehtësonte shumë procesin e planifikimit të prokurimit dhe zhvillimin e prokurimit në përgjithësi, ndërsa u konstatua që freskimi i këtyre listave nuk është në agjendë të KRPP-së. AQP përkundër rolit të madh që ka si organ kompetent për udhëheqjen e prokurimeve të përbashkëta, rezulton se megjithatë e njëjta vonohet në nënshkrimin e kontratave dhe si rezultat AK-ve ju sjellë probleme në planifikimet e tyre. Të gjeturat e hulumtimit tregojnë se zyrat e prokurimit janë të ndikuara politikisht gjatë ushtrimit të detyrave dhe përgjegjësive që kanë, ku si pasojë këto ndërhyrje ndikojnë që planifikimi i prokurimit të mos realizohet në mënyrën e duhur.

Hulumtuesja e INPO-së, znj. Arbenita Topalli rekomandoi që komunat të kujdesen që hartojnë planin e prokurimit konformë kërkesave ligjore dhe në përputhje me formularin B01 të aprovuar nga KRPP, si dhe KRPP të kujdeset ashtu siç është e obliguar edhe me ligj se aktet e nxjerra nga ky institucion gjejnë zbatim nga autoritetet kontraktuese. Gjithashtu, komunat të sigurohen që tek aktivitetet e planifikuara për furnizim të vendosin sasitë, njësitë dhe artikujt.

Topalli rekomandoi që zyrat e prokurimit dhe njësitë kërkuese ta rrisin bashkëpunimin gjatë procesit të planifikimit të prokurimit dhe planifikimin e prokurimit ta shohin si punë të përbashkët në mes vete, komunat të kujdesen që vendosja e vlerës së parashikuar të aktiviteteve të planifikuara të jetë produkt i hulumtimi të tregut dhe hulumtimi i tregut të mos kufizohet vetëm me dalje në terren. 

Rekomandime të rëndësishme ishin edhe ato se KRPP duhet të angazhohet që të jetësohen listat me çmime referente ose të krijohet një data bazë e re sepse kjo është një lehtësim për të gjitha autoritetet kontraktuese.

Znj. Topalli përfundoi duke rekomanduar që kryetarët e komunave të ndalojnë ndërhyrjet në punët e zyrtarëve të prokurimit, respektivisht ndërhyrjet në kuadër të realizimit të planit të prokurimit. /Kosova.info/

Go to TOP