Mbyllet kompania paralele e ujësjellësit në Mitrovicë të Veriut, Lista Serbe i shkruan faktorit ndërkombëtar

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se kanë mbyllur kompaninë paralele të ujësjellësit “Ibar” në Mitrovicë të Veriut, me kërkesë të Monitorimit të Ndërmarrjeve Publike të Ministrisë.

Ajo ka shkruar në Facebook se ky është hap konkret që i shërben sundimit të ligjit dhe funksionalizimit të shërbimeve publike nga institucionet.

“Në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar në janar të këtij viti mes KRU Mitrovicës dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut, shërbimet e rregullta e më cilësore për qytetarët e Komunës së Mitrovicës së Veriut do të ofrohen nga KRU Mitrovica, me standarde më të larta dhe në përputhje të plotë me ligjet tona. Falënderoj Policinë e Kosovës për mbështetjen dhe falënderoj KRU Mitrovicën për gatishmërinë për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim”, ka shkruar Rizvanolli.

Ndaj këtij veprimi ka reaguar Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – duke iu drejtuar komunitetit ndërkombëtar në Kosovë me një letër të hapur.

“Ky akt përfaqëson një tjetër në vargun e veprimeve të njëanshme dhe provokuese, të cilat në vend se të kontribuojnë në stabilizimin e situatës, thellojnë tensionet dhe shkaktojnë frikë të justifikuar tek popullata”, thuhet në këtë letër, drejtuar ambasadave të vendeve të QUINT-it, Bashkimit Evropian, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, të cilën kjo parti e ka shpërndarë për media.

“Qytetarët janë me të drejtë të shqetësuar për sigurinë dhe furnizimin e rregullt me ujë, veçanërisht të institucioneve shëndetësore dhe konvikteve studentore. Nëse veprime të tilla vazhdojnë, ekziston rreziku real për pasoja serioze humanitare dhe shëndetësore”, thuhet më tej në letër, ku u bëhet thirrje institucioneve ndërkombëtare të reagojnë.

Prishtina zyrtare i konsideron institucionet e Serbisë për komunat në Kosovë si paralele dhe ilegale, dhe ka nisur mbylljen e tyre në fillim të vitit 2024.

Deri më tani, për shkak të “aktivitetit të paligjshëm” ose “falsifikimit të dokumenteve” – siç e përshkruan Prokuroria e Kosovës punën e institucioneve serbe – janë mbyllur organet komunale të përkohshme, qendrat për punë sociale, Posta e Serbisë, Banka Kursimore Postare, Fondi i Sigurimit Pensional, Shërbimi Kombëtar i Punësimit dhe institucione të tjera. /Kosova.info/

Go to TOP