Kolonel Sefer Isufi: Ky është plani i FSK-së për furnizim me armatim dhe municion

Qeveria e Kosovës ka ndarë 100 milionë euro për ushtrinë e vendit. Kjo është shuma më e madhe që është ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes. Krahas planifikimeve për rrjedhjen e mjeteve, Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë fokus dhe furnizimin me armatim dhe municion.

Kolonel Sefer Isufi, shef i komunikimit strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes nthotë se janë duke punuar projekte infrastrukturore që lidhen me ngritjen e kapaciteteve në sistemin e mbrojtjes me armatim dhe municion.

“Sistemet e mbrojtjes me armatim dhe municion do të jenë të fokusuara në plotësimin e aftësive dhe kapaciteve operacionale të regjimenteve tona të kombësisë. Pastaj fokusin do ta kemi edhe për mbështetje të regjimentit ushtarak dhe mbështetjes në shërbime” ka thënë kolonel Isufi .

Sipas tij, kjo shumë do të shërbej ekskluzivisht për realizimin e objektivave për fazën e dytë të tranzicionit.

“Lajmi për ndarjen e buxhetit prej 100 milionë euro ka qenë lajm i mirë. Me ketë buxhet kemi komoditetin t’i realizojmë të gjitha objektivat tona për vitin 2022. Ky buxhet do të jetë ekskluzivisht ne realizimin e objektivave të fazës së dytë të tranzicionit”, tha Isufi.

Por, sa para ishin ndarë ndër vite për Forcën e Sigurisë së Kosovës?

Nëse marrim buxhetet e konsoliduara të Kosovës në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, na dalin shifra të vogla në krahasim me 2022.

Para se të bëhej ushtri zyrtarisht, me ndryshimin e tri ligjeve në Kuvendin e Kosovës më 14 dhjetor 2018, Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës për vitin 2017 kishte 51,035,617 euro buxhet. Prej tyre, ekskluzivisht për FSK-në shkonin 47,638,627.

Në vitin 2018, në Buxhetin e Kosovës e gjeni Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës me buxhet prej mbi 53 milionë eurosh, prej të cilave direktj për FSK-në shkonin 49,729,407 euro.

Në vitin 2019 përsëri shihet një ngritje e vogël e fondeve që buxhetin total të ministrisë që kishte vetëm ushtrinë për detyrë, duke e bërë 58,688,060 euro. Prej tyre vetëm për FSK-në direkt shkonin 54,574,838 euro.

Viti 2020 shënon një rritje të buxhetit me afro 11 milionë euro duke e dërguar në 69,275,842 euro. Direkt për ushtrinë e ushtarët shkuan 65,165,095 euro.

Për vitin që jemi tani, 2021, buxheti ishte 67,317,674 euro, pak më i ulët se i vitit paraprak. E gjitha kishte për efekt vitin e mbrapsht të pandemisë COVID-19. Në këtë vit buxheti që shkonte drejtpërdrejt te ushtarë është 63,124,266 euro.

Kurse, në projektbuxhetin e vitit 2022 kemi 100 milionë euro të planifikuara, që shënojnë ngritjen më të madhe për këtë ministri dhe për ushtrinë.

Go to TOP