Moska: Propozimet tona mund të ndreqin marrëdhëniet me ShBA

Marrëdhëniet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur ende pikën e tyre më të ulët dhe propozimet mbi sigurisë që ka bërë Moska, mund të ndihmojnë në zbutjen e tensioneve, citohet të ketë thënë të shtunën zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov.

Rusia tha të premten se po kërkon garanci ligjore e të detyrueshme që NATO të heqë dorë nga çdo aktivitet ushtarak në Evropën Lindore dhe Ukrainë, pjesë e një liste kërkesash të cilat kërkon t’i negociojë me Perëndimin.

Rusia parashtroi për herë të parë në detaje kërkesat që thotë se janë thelbësore për uljen e tensioneve në Evropë dhe zbutjen e krizës mbi Ukrainën.

“Unë mendoj se nuk kemi arritur në pikën më të ulët (të marrëdhënieve), falë zotit, dhe ka përparim në disa aspekte të paktën dhe jo gjithçka është e pashpresë”, citonte agjencia e lajmeve Interfax të shtunën zotin Ryabkov.

Moska ka nevojë për marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme me Uashingtonin, tha ai.

“Situata mund të stabilizohet dhe përmirësohet me ndihmën e marrëveshjeve të tilla. Pa to, situata do të mbetej jashtëzakonisht e vështirë dhe e tensionuar”, citohet të ketë thënë zoti Ryabkov, sipas agjencisë Interfax.

Propozimet ruse janë ofruar në dy dokumente këtë javë, një projektmarrëveshje me vendet e NATO-s dhe një projekttraktat me Shtetet e Bashkuara, të dyja të publikuara nga Ministria e Jashtme ruse.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare në Shtëpisë së Bardhë Jake Sullivan, tha të premten se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për dialog me Rusinë mbi kërkesat e saj dhe se do të paraqesin shqetësimet e veta.

Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Rusia ka dislokuar më shumë se 90,000 trupa pranë kufirit ukrainas dhe mund të jetë gati për ta sulmuar atë, gjë që Moska e mohon.

“Ne nuk duam një konflikt dhe duam të biem dakord mbi një bazë të arsyeshme”, tha zoti Ryabkov. “Çdo veprim diplomatik, çdo propozim është një provë për negocim”.

Pasi Moska bëri publike kërkesat e saj ndaj NATO-s, Ministrja e Jashtme britanike Liz Truss tha të premten në mbrëmje se rritja e pranisë ushtarake ruse në kufijtë me Ukrainës ishte e paprovokuar dhe e pajustifikuar.

“Rusia duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të ulur tensionet”, shkruante ajo në Twitter.

Go to TOP