Abazoviq: I kemi sulmuar të gjitha llojet e mafisë, jemi marrë edhe me kartelet e drogës

Mali i Zi para një viti mori Qeverinë e Njerëzve të Ndershëm, tha zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në një video-mesazh që u publikua me rastin e prezantimit të punëve që janë bërë në vitin e parë të punës së Qeverisë.

Abazoviq është në një udhëtim zyrtar në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA)..

“Shpresoj që çdo qeveri e ardhme të ketë njerëz të ndershëm. Është bërë shumë, janë sulmuar lloj-lloj mafie, me gjithë telashet, ne e kemi kryer menjëherë punën dhe jemi munduar të japim maksimumin në mënyrë që Mali i Zi të marrë një rrugë të ndershme. Të gjithë kishin frikë nga dështimi, por nuk ndodhi. Më pas kishin frikë se nuk do të kishte sezon verore, por rezultatet ishin mbresëlënëse. Ne nuk e kursyem vetveten, ashtu siç nuk i kursejmë ata që shkelën ligjin. Jemi marrë edhe me kartelet e drogës, mafinë e duhanit, mafinë e ndërtimit…”, ka theksuar Abazoviq.

Ai tha se qeveria do të luftojë për të mbrojtur edhe mjedisin ku jetojmë.

“Qëllimi është që Mali i Zi të bëhet shtet evropian. Duhet t’i japim gaz integrimit evropian. Nuk do të mbështesim kurrë polarizimin dhe grindjet, do të mbështesim vetëm kompromise. Ne duhet të ndërtojmë kapacitetet demokratike”, tha Abazoviq.

Ndryshe, qeveria malazeze është në një krizë pasi një partner i koalicionit ka paralajmëruar largimin nëse nuk ka riformatim gjersa presidenti malazez, Milo Gjukanoviq, po bën përpjekje që të bëjë numrat e nevojshëm për të kaluar një votim mosbesimi ndaj qeverisë së udhëhequr nga Zdravko Krivokapiq. 

Go to TOP