Transporti publik në Prishtinë hyn në fazë të re: 172 autobusë, 30 linja dhe aplikacioni “Kuleta Digjitale” me muajin e parë falas
Nga sot, transporti publik në Prishtinë ka hyrë në një fazë të re zhvillimi me zgjerimin e rrjetit të linjave urbane në lagje dhe fshatra që deri më tani nuk kishin qasje në autobusë.
Në një konferencë për media, kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se ky transformim është rezultat i punës trevjeçare në reformën e transportit publik urban. Sipas tij, flota e autobusëve është rritur nga 51 në 172 mjete duke siguruar mbi 30 linja të ndryshme dhe frekuencë prej çdo 7 minutash.
“Zgjerimi i rrjetit të transportit publik tash sjell linja në lagjet e Prishtinës ku deri tani nuk ka pas autobusë. Taslixhe, Velania, Bledi, Arbëria, Sofalia, lagjia Qendresa Nic, Veterniku e Zllatari, të gjitha prej sot kanë shërbime të autobusëve. Po ashtu, me këtë transformim po i lidhim të gjitha fshatrat e kryeqytetit si Mareci, Kolovica, Zllashi, Ballabani, Nisheci, Llabjani, Slivova, Llajshevci, Shkabaj, Prugoci e të tjera”, tha Rama.
Një tjetër risi e prezantuar është aplikacioni “Kuleta Digjitale e Prishtinës”, ku qytetarët mund të blejnë biletat e transportit publik. Për ata që e shkarkojnë aplikacionin tani, muaji i parë i përdorimit është falas.
“Kjo është një inovacion që u jep qytetarëve një muaj biletë pa pagesë duke i inkurajuar ata të përdorin trafikun urban”, tha kryetari i komunës.
Rama vizitoi edhe një nga pritoret e reja të autobusëve, ku theksoi se tashmë kryeqyteti ka linja të posaçme për autobusë, me shenjëzim horizontal dhe vertikal duke u bërë thirrje qytetarëve që drejtojnë automjete private të respektojnë këto korsi.
“Çdo 7 minuta do të ketë autobusë të rinj që marrin pasagjerët dhe i dërgojnë në destinacionin e tyre. Kemi siguri dhe shpejtësi të lëvizjes në gjithë rrjetin”, tha Rama. /Kosova.info/
