ZRRE-ja miraton tarifat e reja, çmimi i rrymës pritet të rritet deri në 16 për qind
Me pesë vota për dhe asnjë votë kundër, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka aprovuar të gjitha pikat që i kishte në rend dite në mbledhjen e sotme.
E në rend dite ishin: shqyrtimi i propozimit per aprovimin e te Hyrave te Lejuara Maksimale per OST/OT; Shqyrtimi i propozimit per aprovimin e te Hyrave te Lejuara Maksimale per OSSH; Shqyrtimi i propozimit per aprovimin e te Hyrave te Lejuara Maksimale per FSHU;
Megjithatë, përkundër insistimit të gazetarëve për të mësuar se sa përqind rritet energjia elektrike anëtarët e Bordit të ZRRE-së nuk kanë dhënë përgjigje. Drejtori menaxhues i ZRRE-së, Petrit Pepaj kanë thënë se për këtë çështje do të bëhet publike komunikata. Ndërkaq, më vonë i njëjti ka theksuar se përqindja e rritjes së energjisë për konsumatorët, është një proces tjetër, që ndodh javën tjetër.
Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu më pas ka kërkuar nga gazetarët që të lirojnë hapësirën, pasi sipas tij bordi kalon në seancë të mbyllur për shqyrtimin e ankesave të konsumatorëve.
Pepaj: Të obliguar të përcaktojmë tarifa që respektojnë koston e shërbimit
Drejtori i ZRRE-së, Petrit Pepaj gjatë mbledhjes së Bordit të ZRRE-së tha se në raportin konsultativ dhe në tërë procesin duhet ta respektojnë detyrimin ligjor që rregullatori e ka në përcaktimin e tarifave.
“Ligjërisht rregullatori është i obliguar që të përcaktojë tarifa që respektojnë koston e shërbimit, ndërsa për konsumatorët e cenueshëm sipas ligjit përgjegjëse janë Ministria e Financave dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, ka thënë Pepaj.
Sipas tij, ZRRE në raportet e saj i ka përcaktuar në mënyrë të detajuara shkaktarët kryesor që kanë të bëjnë me rritjen e kostos së shërbimit.
“I kemi katër shkaktarë që kanë ndikuar në rritjen e kostos: Ndryshimet në kostot e blerjeve të energjisë elektrike nga furnizuesit në shërbim universal. Ndryshimet në kosto të blerjes së energjisë nga operatori i sistemit të shpërndarjes. Parashikimi i çmimeve të energjisë nga importi për vitin 2025 dhe parashikimi për kostot e shërbimeve ndihmëse për operatorin e sistemit të transmetimit”, ka shtuar ai.
Sipas tij në vlerësimet për vitin 2025 është parashikuar edhe import, duke pasur parasysh se njësitë gjeneruese janë në planifikim të mirëmbajtjes.
Nis mbledhja e ZRRE-së
Ka nisur mbledhja e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, ku pritet të merret vendimi për tarifat e reja të energjisë elektrike, vendim i cili nëse merret do të hyjë në fuqi më 1 maj.
Kjo është seanca e tretë për këtë vit, në të cilën në rend dite është shqyrtimi i propozimit për aprovimin e të hyrave të lejuara maksimale për OST/OT, shqyrtimi i propozimit për aprovimin e të hyrave të lejuara maksimale për OSSH, shqyrtimi i propozimit për aprovimin e të hyrave të lejuara maksimale për FSHU dhe shqyrtimi i ankesave të konsumatorëve.
