Zariqi: Sakrifica nuk është plan, qytetarët nuk mund të paguajnë çmimin e mosveprimit në energji
Nebih Zariqi, ish-anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka reaguar ndaj deklaratave të Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, lidhur me nevojën që qytetarët “të sakrifikojnë për tre vite” për shkak të mungesës dhe shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Në një reagim publik, Zariqi ka thënë se pritja e gjatë pa rezultate konkrete ka arritur kufijtë duke ironizuar situatën aktuale: “Prit me muaj e prit me vjetë, pushka e b… s’po kërcet! Kjo thua se nga sot po e fillon mandatin!”, ka shkruar ai.
Sipas tij, deklarata e ministres nuk mund të shërbejë si arsyetim për gjendjen e krijuar në sektorin energjetik, pasi qytetarët nuk mund të sakrifikojnë pafund, ndërkohë që Qeveria, për vite me radhë, ka dështuar të sigurojë investime serioze në rritjen e kapaciteteve të reja energjetike dhe në garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike.
Zariqi thekson se thirrjet për sakrificë nuk mund ta zëvendësojnë përgjegjësinë institucionale dhe mungesën e veprimit konkret.
“Sakrifica nuk është plan. Sakrifica nuk e zëvendëson përgjegjësinë. Sakrifica nuk mund të jetë çmimi i mosveprimit”, ka deklaruar ai.
Në fund, ish-anëtari i Bordit të ZRRE-së ka bërë thirrje për ndryshim të qasjes duke theksuar se Kosova ka nevojë urgjente për zgjidhje afatgjata, investime strategjike dhe rezultate konkrete në sektorin e energjisë, e jo për thirrje të reja ku barra bie sërish mbi qytetarin. /Kosova.info/
