Ymeri: Qeveria po investon në propagandën për veriun, tri institucionet në duar të Kurtit

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka paralajmëruar se Kosova mund të përballet me izolim të mëtejshëm për shkak të tensioneve me partnerët ndërkombëtarë. Ai theksoi se veprimet e qeverisë së Albin Kurtit kanë rrezikuar edhe pjesëmarrjen e Kosovës në Procesin e Berlinit, forum i vetëm ku Kosova merr pjesë me të gjitha simbolet e saj.

Ymeri kritikoi qeverinë Kurti për investimin në propagandë dhe keqkuptimin e situatës në veri të Kosovës, duke theksuar se kjo politikë përplasjesh nuk ka sjellë rezultatet e premtuara. Sipas tij, qeveria po i dëmton marrëdhëniet me ndërkombëtarët, duke pranuar kompromise që më parë ishin kundërshtuar.

Ai vuri në dukje se veprimet e kryeministrit Kurti kanë bërë që Kosova të mos marrë përkrahje për kërkesat legjitime nga shtetet që e kanë mbështetur historikisht, si SHBA, Gjermania dhe Britania e Madhe. Ymeri gjithashtu shtoi se çështja e veriut po përdoret politikisht nga Kurti për qëllime elektorale, ndërsa qeveria investon në propagandë për të paraqitur një situatë të tensionuar si një “revolucion”.

Ymeri përfundoi duke theksuar se partitë opozitare janë angazhuar maksimalisht për të penguar keqqeverisjen e Kurtit, duke dërguar projektligje në Gjykatën Kushtetuese dhe parandaluar kapjen e institucioneve të pavarura.

Go to TOP