Yll Sejdiu emërohet anëtar i Bordit Udhëheqës në NLB Banka Prishtina
Yll Sejdiu është emëruar Anëtar i Bordit Udhëheqës në NLB Banka Prishtina, në rolin e Chief Market Officer (CMO), me përgjegjësi për Biznesin e Korporatave, raporton KosovaPress.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Sejdiu, duke shprehur mirënjohje dhe kënaqësi për këtë emërim, si dhe duke rikujtuar rrugëtimin e tij profesional mbi dy dekada në këtë institucion bankar.
Ai ka theksuar se karrierën në NLB Banka e ka nisur menjëherë pas përfundimit të studimeve universitare, më shumë se 20 vjet më parë, duke pasur mundësinë të rritet profesionalisht paralelisht me zhvillimin e bankës.
“Sot ndihem i lumtur dhe mirënjohës për këtë përgjegjësi të re. Kam pasur privilegjin të rritem bashkë me bankën dhe të kontribuoj hap pas hapi në zhvillimin dhe përparimin e saj”, ka deklaruar Sejdiu.
Ai ka shtuar se NLB Banka Prishtina vazhdon të ketë një rol kyç në tregun financiar të Kosovës, duke mbështetur bizneset e vogla, të mesme dhe korporatat, ndërsa ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar kontributin në forcimin e sektorit të biznesit dhe ekonomisë së vendit.
“Jam krenar të vazhdoj të kontribuoj për bizneset që e shtyjnë ekonominë e Kosovës përpara”, ka theksuar Sejdiu.
Me këtë emërim, Bordi Udhëheqës i NLB Banka Prishtina tani përbëhet nga: Gem Maloku, Kryetar i Bordit Udhëheqës, CFO dhe CMO për Retail; Mirsad Haskaj si CRO; dhe Adrian Hasa si COO, duke reflektuar madhësinë dhe rëndësinë e bankës brenda Grupit NLB.
