Fetoshi: Krishtlindja po përdoret nga Serbia për të destabilizuar Kosovën
Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, ka theksuar se nxitja e përçarjes mbetet një instrument sistematik dhe shumëdimensional në strategjinë e Serbisë për destabilizimin e Kosovës. Ai thekson se narrativat e përçarjes ndëretnike dhe ndërfetare përdoren për ta penguar integrimin e komunitetit serb dhe për ta instrumentalizuar atë kundër Republikës së Kosovës.
Sipas Fetoshit, këto narrativa shoqërohen me viktimizim, ku Kosova portretizohet si “terroriste”, shqiptarët si “ekstremistë islamikë”, dhe diaspora shqiptare si ndërhyrje kundër bashkëjetesës.
Ai shton se përçarja ndëretnike është themeli i strategjisë, ku mediat serbe e kornizojnë Kosovën si kërcënim për serbët lokalë, duke justifikuar kështu ndërhyrjen e Beogradit. Ndërsa përçarja ndërfetare, sipas Fetoshit, përfshin rolin aktiv të Kishës Serbe në tentativën për ta portretuar Kosovën si radikale dhe jotolerante para ndërkombëtarëve.
Fetoshi vlerëson se këto dy konstante amplifikohen veçanërisht gjatë periudhave festive, si Krishtlindja Ortodokse, kur pretendimet për presione dhe rrezik ndaj besimit ortodoks receptohen më lehtë në opinionin e brendshëm dhe ndërkombëtar.
“Në shoqëritë normale, festat fetare e forcojnë kohezionin shoqëror, mirëpo në rastin e Serbisë, ato keqpërdoren si ‘armë’ në emër të Zotit. Por, Krishti nuk është serb, Kosova nuk është Serbi dhe Serbia nuk është Mbretëria Qiellore në Tokë,” shkruan Fetoshi.
Ai thekson se përçarja ndërfetare është mjet i sofistikuar i luftës hibride të Serbisë dhe synon të dëmtojë imazhin e Kosovës, duke krijuar dyshime te partnerët perëndimorë.
Fetoshi vlerëson se demaskimi i kësaj strategjie është thelbësor për stabilitetin rajonal dhe se liria dhe toleranca fetare në Kosovë kanë qenë dhe mbeten vlerë kulturore e pacenueshme.
“Megjithatë, një kundërpërgjigje e qartë, e bazuar në faktin historik të respektit të shumicës ndaj besimeve në Kosovë, është e domosdoshme për ta neutralizuar strategjinë e përdorimit të festës si mjet destabilizimi”, shkruan drejtori i Institutit Octopus. /Kosova.info/
