Takimi i Grupit Punues për vizat i mbyllur, zyrtari i BE-së jep detaje

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën sot për herë të parë do të jetë temë diskutimi në takimin e Grupit Punues për vizat i Këshillit të Bashkimit Europian.

Qeveria e Çekisë, e cila kryeson Presidencën e Bashkimit Europian, ka konfirmuar se për sot e ka vendosur për diskutim në rend dite temën e vizave të Kosovës.
Megjithatë, punimet që do të zhvillojë ky grup nuk do të jenë të qasshme për mediat. Kështu ka deklaruar një zyrtar për shtyp nga BE-ja.

“Punimet e organeve përgatitore të Këshillit nuk janë publike. Për më tepër, takimi i sotëm mbahet personalisht, jo në video-konferencë”.

Sidoqoftë, në Kosovë po pritet me zell lajmi mbi rezultatet që do të prodhojë ky takim i Grupit Punues.

Takimi bie në kohën që Komisioni Europian publikoi raportin për Kosovën ku përsërit se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizimin e vizave, derisa thotë se propozimi i këtij institucioni për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës është ende pezull në Këshill.

Ndonëse Bashkimi Europian nuk ka dhënë afate kohore se kur mund të ndodhë ky proces, në Kosovë janë rritur pritjet meqë ka pasë deklarata të shuma nga zyrtarë të lartë të Unionit që thoshin se rekomandimi i KE-së duhet të përmbushet dhe të përfundojë mbajtja në izolim për qytetarët e Kosovës. Por, nga zyrtarë të BE-së pati po ashtu edhe deklarata të tilla që ka ende vende skeptike brenda bllokut sa i përket kësaj çështje.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, në takimin që pati me homologen e saj kosovarë, Donika Gërvalla, në Berlin, tha se mbështetja e vendit të saj për këtë çështje të rëndësishme për kosovarët do të shkojë edhe më tej në përpjekje konkrete për të bindur edhe kolegët e tyre në Francë – një shtet që njihet për skepticizëm ndaj procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Dhe mund të premtoj se do të angazhohemi dhe që të sqarojmë të gjitha pyetjet dhe dyshimet që mund të kenë partnerët tanë në Francë, dhe që të mos ketë vonesa në zbatim”, ka thënë dje ajo.

Pas disa zhgënjimeve të përvitshme nga BE-ja, krerët aktualë të Kosovës janë shprehur optimistë kësaj radhe.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së fundi ka thënë për REL-in se është “optimiste e kujdesshme”, por ka shtuar se sheh vullnet politik te liderët e BE-së që kjo çështje të mos bllokohet.

Edhe shefi i Qeverisë, Albin Kurti, në konferencën e përbashkët që pati me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, është shprehur optimist se takimi në Këshill mund të sjellë rezultate.

Çështja e vizave të Kosovës gjithmonë ka mbetur e bllokuar në Këshillin e BE-së, prandaj më 7 tetor, Komisioni Europian u ka dërguar vendeve anëtare të Bashkimit Europian në Këshill një dokument të detajuar teknik ku konfirmon se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe se Komisioni konfirmon se mbetet në fuqi propozimi që BE-ja t’i liberalizojë vizat për Kosovën. Ky dokument, do të jetë edhe bazë për diskutimin në Grupin Punues për vizat në Këshill më 13 tetor në Bruksel.

Go to TOP