VV krenohet me raportin e WJP, megjithatë Sundimi i Ligjit në Kosovë sivjet dallon krejt pak me vitin e kaluar

Lëvizja Vetëvendosje ka shfrytëzuar të dhënat e Indeksit për Sundimin e Ligjit të vitit 2021 “World Justice Project” për ta promovuar qeverisjen e tyre përgjatë këtyre 10 muajve.

Megjithatë, raporti i 2021-ës në fushën e sundimit të ligjit me atë të 2020-ës, kohës kur VV nuk ishte në pushtet, nuk ofron dallime esenciale në rastin e Kosovës.

Në raportin e 2020-ës, pikët e Kosovës, sipas vlerësimit të WJP, janë 0.52, derisa në vitin 2021 janë 0.53. Megjithëkëtë, një pikë më shumë në këtë përmbledhje vjetore ka ngjallur reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje në ‘Facebook’.

“Republika e Kosovës në renditjen botërore për sundimin e ligjit është renditur si e para në rajon. Kosova prinë në fusha si ajo e kufizimit të pushtetit qeverisës, mungesës së korrupsionit, për transparencë, respektimin e të drejtave të njeriut, rend e siguri, si dhe disa fusha të tjera”, thuhet në postimin e tyre në ‘Facebook’.

Ndërkaq, në fushën e luftimit të korrupsionit Kosova, sikurse në 2020-ën, ashtu edhe në 2021-ën, ka vlerësimin 0.46, që nënkupton se nuk ka shënuar as progres e as regres.Mirëpo, Kosova përgjatë vitit 2021 ka shënuar regres në fushat siç janë qeverisja e hapur, zbatimin rregullator dhe rendin e sigurinë.

Go to TOP