Vuçiq: Gjatë vikendit do të bisedoj me serbët e Kosovës

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nga e premtja e deri të dielën do të bisedojë me serbët e Kosovës.

Ai tha se ka pasur bisedime komplekse për Kosovën me Gabriel Escobarin dhe me Miroslav Lajçakun, deri thotë se ka folur edhe me emisarin e Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor.

Vuçiq i ka falënderuar serbët që jetojnë në Kosovë, që sipas tij po luftojnë për të drejtat e tyre.

“Shteti i Serbisë është gjithmonë me ta. Është e rëndësishme të ruajmë paqen dhe të tregojmë se mund të flasim me të gjithë, për dallim nga disa që mendojnë se mund t’i zgjidhin problemet e tyre me provokime”, tha Vuçiq gjatë një konference për media.

Nga 26 maji në tri komunat veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, serbët po organizojnë protesta duke i kundërshtuar kryetarët e zgjedhur më 23 prill, në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën atje.

Serbët u mblodhën rreth objekteve komunale duke i penguar kryetarët që të hyjnë brenda tyre.

Situata më e tensionuar u shfaq më 29 maj ku pati përleshje në mes të protestuesve dhe ushtarëve të KFOR-it, ku si pasojë 30 nga ta u lënduan.

Sulme pati edhe ndaj policisë së Kosovës dhe gazetarëve të cilët raportonin nga vendi i ngjarjes, e po ashtu edhe u dëmtuan pajisjet e tyre dhe veturat e mediumeve.

Me këtë rast për të siguruar një mjedis të qetë NATO i ka dërguar edhe një numër shtesë të trupave.

Të hënën i dërguar i ShBA-së Gabriel Escobar dhe ai i BE-së Miroslav Lajçak, qëndruan në Prishtinë, ku në takimin me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, i shprehën tri kërkesa:

Largimi i policisë nga veriu për de-eskalimin e situatës në veri, organizimin e zgjedhjeve të reja duke mundësuar pjesëmarrjen e serbëve, fillimin e punës për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Go to TOP