Von Cramon: Serbia ta njohë Kosovën, kjo e fundit të themelojë Asociacionin e Komunave Serbe anëtarësimi në BE s’është falas

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se Serbia duhet ta njoh Kosovën në mënyrë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Raportuesja e Kosovës në PE, në një intervistë dhënë për Nova.rs, ka shtuar se Serbia duhet që po ashtu të vendos sanksione ndaj Rusisë.

“Nëse Serbia dëshiron të anëtarësohet në BE në një moment, ne duhet të shohim se ka një angazhim për mbrojtjen e mjedisit, reformën në drejtësi, por edhe politikën e jashtme. Për sa i përket politikës së jashtme, përfshihen sanksionet kundër Rusisë. Nuk bëhet fjalë për “ose-ose”.  Kishte shumë të ftuar nga vende të ndryshme dhe mesazhi nga të gjithë ne ishte shumë i ngjashëm dhe tingëllon kështu: sanksione kundër Rusisë dhe reforma. Anëtarësia nuk është falas”, ka thënë von Cramon.

E pyetur për deklaratat e fundit nga liderët evropian në drejtim të Serbisë, se kjo e fundit duhet ta njoh Kosovën, pasi që anëtarësimi në BE është i mundur vetëm përmes një gjëje të tillë, raportuesja për Kosovën në PE, tha se, këto deklarata nuk janë diçka e re dhe se ata presin njohjen e pavarësisë së Kosovës

“Kjo gjithashtu nuk është diçka e re. Së fundi, në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, ne presim njohjen e pavarësisë. Pra, po, kjo është ndoshta hera e parë në letër, siç është shkruar zyrtarisht, por siç e ka thënë tashmë Olaf Scholz, dhe në fakt ai vetëm përsëriti atë që është e dukshme dhe mendoj se është një mesazh shumë i rëndësishëm”, ka shtuar ajo.

Po ashtu, von Cramon, ka kujtuar edhe obligimet Kosova duhet t’i përmbush përfshirë këtu zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit dhe themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Të dyja palët duhet të japin dhe unë së fundi dhashë një intervistë në Prishtinë në të cilën ia kujtova palës kosovare obligimet e fundit: zbatimin e vendimit të gjykatës për Manastirin e Deçanit, për të përgatitur një projekt-plan për themelimin e Unionit të Komunave Serbe. Obligimet ekzistojnë edhe nga pala kosovare dhe sigurisht që po punojmë për këtë”, ka deklaruar von Cramon.

Go to TOP