Vitinha: Treguam se Portugalia nuk dorëzohet kurrë

Kombëtarja portugeze luftoi shumë për të fituar kundër Republikës Çeke në ndeshjen e fundit të rrethit të parë të fazës së grupeve në Euro 2024.

Portugezët mposhtën çekët në kuadër të Grupit F, me rezultat 2:1, teksa Vitinha i PSG-së ishte lojtari i ndeshjes.

“Ishte e vështirë, ne luftuam pasi pësuam një gol nga rasti i tyre i parë. Ishte një goditje e shkëlqyer nga jashtë zonës së penalltisë, por ne treguam gjakftohtësi dhe këmbëngulje. Kemi ruajtur qetësinë. Gjithmonë kemi besuar në fitore deri në fund dhe për fat ia arritëm qëllimit me ndihmën e lojtarëve nga bankina”, tha Vitinha pas ndeshjes.

Edhe mbrojtësi Nuno Mendes është shprehur i kënaqur me tri pikët, edhe pse Portugalia ishte larg nivelit të saj më të mirë.

“Ne treguam shpirt të madh dhe se Portugalia nuk dorëzohet kurrë. Ne luftuam deri në sekondat e fundit të ndeshjes dhe këtë e kemi ndërmend ta bëjmë deri në fund të kampionatit”, tha Mendes.

Go to TOP