VIDEO/ Rreziku i fundamentalizmit islamik në Kosovë dhe përpjekjet për rrëzimin e shtetit demokratik dhe sekular

Shkruan: Avdi Gegë Drini

Këto pamje ngjasojnë me përmbysjet islamike në Lindjen e Mesme. Ndër protestuesit, si nxitës i turmës, është edhe Halil Kastrati. Hoxhë Shefqeti mallkon Kuvendin e Kosovës, institucionin më të lartë të shtetit të Kosovës për të cilin shqiptarët dhanë edhe jetën, për çlirimin nga fashizmi i regjimit serb dhe për formimin e një shteti demokratik e laik. Hoxha më tej thotë që nuk bëjnë kompromise me shtetin laik, Halili thërret për “tekbir.” Fundamentalistët islamikë, njëjtë si fashistët ultranacionalistë serbë, kanë problem me shtetin dhe institucionet tona demokratike dhe laike.

Në pranverën arabe 2011 filluan kryengritjet popullore për liri dhe demokraci, por që u kidnapuan shpejt nga lëvizjet e mirëorganizuara fundamentaliste islamike të financuara nga Arabia Saudite, Katari dhe Turqia. Në Egjipt erdhi në pushtet lideri islamik Mohamed Mursi, i mbështetur nga Turqia, ndërsa në Siri gjendja eskaloi në luftë ndërmjet fuqive sunite (Arabi, Katar, Turqi) dhe fuqive shiite (Asadi dhe Irani).

Në Kosovë me vite ishin instaluar hoxhallarë dhe organizata fundamentaliste islamike që indoktrinuan pjesë të popullatës të zhytur në mjerim ekonomik dhe arsimor. Mbillej urrejtja ndaj botës perëndimore, vlerave liberale dhe shtetit demokratik dhe sekular që paraqitej si shtypës nga eksponentët fundamentalistë islamikë. Duke parë shembullin e përmbysjeve të sistemit në botën arabe, edhe në Kosovë u përpoq që me anë të këtyre “protestave” t’u bëhej presion institucioneve kosovare që të pranonin agjendat islamike në politikë dhe shoqëri, dhe të testohej potenciali për lëkundje të sistemit demokratik dhe laik.

Pasi u pa që një përmbysje e sistemit demokratik e laik nuk do të lejohej nga elita shqiptare dhe aleatët perëndimorë të Kosovës, fundamentalistët dërguan ndjekës të tyre të indoktrinuar që të luftonin për përmbysjen e regjimit shiit në Siri. Xhihadistët shqipfolës kryen krime të rënda në Siri dhe u bënë mish për top në shërbim të politikave hegjemoniale të Turqisë në rajon. Shqiptaria u dëmtua rëndë në imazh dhe kjo çoi ujë në mullirin e propagandës serbe e cila gjithnjë mban qëndrimin që shqiptarët janë popull fanatik e terrorist islamik.

Përmbysjet e regjimeve dështuan. Në vendet shqiptare, plani për rrëzimin e shtetit demokratik e sekular nga jashtë ka dështuar. Tani aplikohet plani i marrjes së “kalasë” nga brenda. Synohet që në një mënyrë më të butë, më të qetë dhe më afatgjatë ngadalë të instalohen sa më shumë persona./ Kosova.info

Go to TOP