Vendosen kamera në burgun e grave në Lipjan, për këtë punë suspendohen dy zyrtarë të lartë

Në Qendrën Korrektuese në Lipjan janë vendosur kamera të sigurisë, në pavijonët ku vuajnë dënimin gratë. Për këtë, janë supspenduar dy zyrtarë të lartë.

Ali Gashi, ushtrues i detyrës së drejtorit të ShKK-së thotë se vendosja e kamerave është bërë me qëllim që të ruhet jeta e grave me probleme mendore. Por, vendosja e kamerave në burgun e grave në Lipjan u ka kushtuar me suspendim Fatlinda Mustafës, ushtruese e detyrës së drejtoreshës në Qendrën Korrektuese për gra në Lipjan dhe Ilir Kelmendit, drejtor për Siguri në Shërbimin Korrektues (ShKK).

Sipas Ali Gashit, dy zyrtarët janë suspenduar pasi për vendosjen e kamerave nuk e kanë njoftuar udhëheqësin e SHKK-së, pra vetë Gashin.

“Kamerat janë vendosur të premten, vetëm pa konsultim… Udhëheqësi nuk e ka njoftu drejtorin e përgjithshëm. Asetet duhet te kenë aprovim, qëllimi ka qenë të ruhet jeta dhe kamerat mbikëqyren nga femrat ”, tha Gashi teksa foli për suspendimin e Mustafës dhe Kelmendit.

Tutje, ai tha se kamerat janë vendosur për çështje sigurie.

“Për çështje te sigurisë së jetës së njerëzve janë vendos kamerat. Te ruhet jeta e njerëzve që janë me çrregullime mendore…Është bërë me rekomandimet e mjekut psikiatër”, u shpreh Gashi tutje.

Lidhur me këto dy suspendime, Express ka kontaktuar dje edhe ushtruesen e detyrës së drejtoreshës në Qendrën Korrektuese për gra në Lipjan, Fatlinda Mustafa, por e njëjta fillimisht tha dje se “nuk është e vërtetë”, më pas tha se do të flasë në një tjetër telefonatë, por pasi mbylli telefonin më nuk është përgjigjur.

Vendosja e kamerave në qendrën ku vuajnë dënimet gratë është raportuar si skandal dhe shkelje e të Drejtave të Njeriut.

Go to TOP