Vdes tragjikisht i riu pasi u godit nga rrufeja në Delloc të Suharekës
Një 26-vjeçar ka humbur jetën të mërkurën pasdite në një zonë malore ndërmjet bjeshkëve të Bukoshit dhe Dellocit, pasi dyshohet se është goditur nga rrufeja.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar nga Emergjenca e Suharekës, e cila kishte marrë informacione nga banorë të fshatit Delloc se një person, pranë vendit të njohur si “Guri i Dellocit”, dyshohej se ishte goditur nga rrufeja dhe nuk shfaqte shenja jete.
“Emergjenca e Suharekës ka njoftuar Policinë se afër vendit të quajtur ‘Guri i Dellocit’, në zonën malore ndërmjet bjeshkëve të Bukoshit dhe Dellocit, dyshohej se një person ishte goditur nga rrufeja dhe, sipas informatave fillestare, ishte pa shenja jete. Këto informata Emergjenca i kishte pranuar nga disa banorë të fshatit Delloc. Menjëherë pas pranimit të njoftimit, patrulla policore e Stacionit Policor në Suharekë, së bashku me hetuesit, është nisur drejt vendit të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia bëri të ditur se për shkak të terrenit të vështirë dhe zonës së thellë malore, arritja në vendin e ngjarjes ka qenë e vështirë.
Në vendngjarje kanë dalë edhe ekipet emergjente, të cilat kanë konstatuar vdekjen e 26-vjeçarit me inicialet F.B.
Autoritetet po vazhdojnë procedurat hetimore për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit, ndërsa dyshimet fillestare janë se viktima ka humbur jetën si pasojë e goditjes nga rrufeja. /Kosova.info/
