Kërkohet paraburgim për një person në Ferizaj, mundësoi prostitucion në motelin ku ishte menaxher
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në këtë qytet caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit me inicialet E.Gj., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Mundësimi ose detyrimi në prostitucion” dhe “Ofrimi i lokaleve për prostitucion”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se gjatë muajit qershor 2026, në rrugën “Ilir Konushevci” në Ferizaj, i dyshuari, në cilësinë e menaxherit të një moteli, ka ofruar lokalin e tij për ushtrimin e prostitucionit, duke konsumuar kështu elementet e veprës penale “Ofrimi i lokaleve për prostitucion”.
Prokuroria tha se ai u zu në flagrancë dhe u arrestua të hënën.
“Po ashtu, ekziston dyshimi i bazuar se gjatë muajit qershor 2026, në Ferizaj, me dashje ka mundësuar ushtrimin e prostitucionit, në atë mënyrë që i pandehuri si menaxher i motelit, ka punësuar B.Xh., me qëllim që të ofroj shërbime seksuale me pagesë për klientët e tij, kështu që me datë 29 qershor 2026, pas zbatimit të masës së veçantë, i pandehuri është zënë në flagrancë dhe është arrestuar nga zyrtarët policor, me të cilën kishte për të kryer veprën penale “Mundësimi ose detyrimi në prostitucion” nga neni 234 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, E.Gj. aktualisht ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh.
