Vatikani drejt njohjes së Kosovës

Shteti më i vogël, por me ndikim të jashtëzakonshëm global, Selia e Shenjtë (Vatikani), ka ndërmarrë një hap vendimtar drejt normalizimit dhe njohjes së Pavarësisë së Kosovës. Papa Françesku ka emëruar ambasadorin e ri të Vatikanit në Slloveni si përfaqësues diplomatik edhe për Kosovën duke krijuar kështu një kanal të ri të drejtpërdrejtë të komunikimit ndërmjet Prishtinës dhe Vatikanit.

Ky zhvillim është konfirmuar nga Peshkopi i Beogradit, Kardinali Vladislav Nemet, në një intervistë për të përditshmen serbe Danas, ku ai theksoi se emërimi i diplomatit të ri dhe shtrirja e përgjegjësisë së tij edhe mbi Kosovën, është një sinjal i qartë për avancimin drejt hapjes së përfaqësisë së Kosovës në Vatikan.

“Hapja e përfaqësisë së Kosovës në Vatikan është bërë një rrugë e sigurt,” u shpreh Kardinali Nemet duke nënvizuar që kjo përfaqëson një përparim real në raportet e Kosovës me Selinë e Shenjtë.

Në intervistë, ai nuk la pa përmendur edhe çështjen e ndjeshme të manastireve serbe në Kosovë. I pyetur pse ende objektet fetare serbe ruhen nga forcat e KFOR-it, Nemet u përgjigj:

“Sigurisht se KFOR-i do t’i ruajë edhe në të ardhmen manastiret serbe për shkak të gjendjes së tendosur. Por, mendoj se edhe pala serbe nuk ka vepruar mençurisht kur ka lejuar që Manastiri i Banjës të shfrytëzohet si bazë e grupeve të armatosura.”

Deklarata e tij përbën një kritikë të hapur ndaj veprimeve të Serbisë dhe një thirrje për reflektim, ndërkohë që mesazhet nga Vatikani sinjalizojnë për një qasje më të hapur dhe konstruktive ndaj realitetit të pavarësisë së Kosovës.

Ky është një hap simbolik, por me peshë të madhe politike e diplomatike, që pritet të ndikojë pozitivisht në procesin e njohjeve ndërkombëtare dhe konsolidimin e subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. /Kosova.info/


Go to TOP