I riu nga Pozherani vdes aksidentalisht në autostradën `Arbën Xhaferi`
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në autostradën “Arbën Xhaferi”, ku një i ri nga Pozherani i Vitisë, ka humbur jetën në rrethana aksidentale.
Sipas Mentor Malokut nga Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, rasti ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit. Ekipet e kërkim-shpëtimit janë nisur menjëherë në vendngjarje pas marrjes së informacionit dhe vetëm në orët e pasdites kanë arritur të nxjerrin trupin e pajetë të të ndjerit nga një greminë.
“Dyshohet se i ndjeri ka pësuar aksident me veturë, më pas ka dalë jashtë saj dhe është rrëzuar nga një lartësi e madhe,” ka deklaruar Maloku për RTKlive.
Lidhur me këtë rast të rëndë ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili ka shprehur ngushëllime të sinqerta për familjen dhe të afërmit e Idealit.
“Me dhimbje të thellë pranova lajmin për vdekjen tragjike të të riut Ideal Halabaku, i cili u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme dhe të dhimbshme, duke lënë pas pikëllim të madh tek familja, miqtë dhe te e gjithë shoqëria jonë. Në emrin tim personal dhe në emër të Komunës së Vitisë, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Halabaku, të afërmve, shokëve dhe të gjithë atyre që e njohën Idealin. Humbja e një jete të re është gjithmonë e rëndë, por kujtimi për Idealin do të mbetet i gjallë tek të gjithë ata që e njohën si djalë shembullor, i dashur dhe plot jetë”, ka thënë Haliti.

