Ukaj: Shkrimtari i mirë mbron të dobëtit, jo pushtetin

Publicisti dhe shkrimtari Ndue Ukaj ka reaguar ndaj fenomeneve që krijuesit letrarë i shndërrojnë në vegla të pushtetit duke theksuar se shkrimtari i mirë gjithmonë qëndron në anën e së mirës dhe humanizmit.

Në një shkrim të publikuar, Ukaj thekson se roli i shkrimtarit është t’u ndihmojë lexuesve ta shohin realitetin me sytë e artit, e jo me optikën e pushtetit. Ai përdor metaforën e teleskopit duke theksuar se shkrimtari i mirë “iu jep lexuesve teleskopin në duar, që ta shohin realitetin në largësi e thellësi, që të mos bëhen miop e të shohin aq sa i lejon tejqyra e fuqisë së pushtetit.”

Sipas Ukajt, shkrimtari i mirë është gjithmonë në anën e drejtësisë dhe të dobëtëve duke i shërbyer së mirës universale dhe jo interesave të ditës.

“Shkrimtari i mirë bëhet gardian i lirive njerëzore, e mbron individin e jo turmën, më së paku vihet në mbrojtje të udhëheqësit, sepse atë e mbron pushteti i madh që posedon,” shkruan Ukaj.

Ai kritikon ashpër ata shkrimtarë që për servilizëm e interes personal dalin në mbrojtje të njerëzve të fuqishëm duke i quajtur “palaço të pushtetit” dhe “mendje të cekëta, që urrejtjen e kanë më të madhe se dashurinë.”

Në përfundim, Ukaj kujton thënien e nobelistit Gabriel Garcia Marquez duke thënë se “ne s’jemi më kalamaj që të presim Mesian politik”, por fatkeqësisht në shoqërinë tonë ende ka të tillë që presin shpëtimtarë për t’u shëruar komplekset e tyre. /Kosova.info/


Go to TOP