UGSh: Astrit Lulushi një gazetar me personalitet dhe peshë, në kulturën e diasporës shqiptare
Lajmi për ndërrimin jetë të gazetarit, përkthyesit, shkrimtarit dhe veprimtarit Astrit Lulushi është pikëllim për shumë kolegë dhe miq të tij në hapësirën shqiptare dhe në Botë. Largimi i papritur nga jeta i ish gazetarit të “Zërit të Amerikës”, publicistit dhe intelektualit me peshë, krijon një boshllëk dhe shkakton humbje për familjen e vet dhe gjithë miqtë e kolegët që e njohën e me të cilët pati bashkëpunime të vyera.
“Astrit Lulushi do të mbetet në kujtesën publike si gazetari i korrektesës dhe erudicionit kulturor, si model i qytetarit që shpalosi identitet dhe ambicie të matura prej profesionisti.
Lulushi dha një kontribut të vlerësueshëm kulturor përmes veprimtarisë së tij të gjerë letrare dhe publicistike. Kontributi i tij shkrimor u mishërua në botimin e 17 librave, të shkrimeve të shumta dhe të poezive. Për rreth 30 vite punoi për “Zërin e Amerikës” dhe ishte bashkëpunues me dhjetëra media në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në vende të ndryshme të botës”, thuhet në komunikatën për media të UGSh-së.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u përcjell ngushëllime, familjes dhe miqve të tij. Pushofsh në paqe, miku dhe kolegu ynë i paharruar! /Kosova.info/