Kryetari i Vitisë kritikon ministrin Peci për deklaratat mbi prodhimin e grurit

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka adresuar kritika të forta ndaj Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, për deklaratat e tij lidhur me prodhimin e grurit në vend.

Haliti, duke e quajtur të pavërtetë pohimin se Kosova këtë vit do të plotësojë nevojat ushqyese me prodhim vendor të grurit, ka theksuar se radhët e gjata të kamionëve me grurë në terminalet nga importi tregojnë një realitet tjetër.

Ai nënvizon se, megjithëse prodhimi për hektar është rritur, sipërfaqet e kultivuara janë ulur me 20% krahasuar me vitet e kaluara. Haliti ka kërkuar nga ministri që të përqendrohet te çmimi i grumbullimit të grurit, i cili është më i ulti në rajon, dhe të mbështesë fermerët në vend të propagandës.

Në letër, Haliti thekson se Kosova ende nuk arrin të plotësojë nevojat ushqyese të popullatës me grurë dhe ngre shqetësimin për politikat e gabuara bujqësore që kanë çuar në çmimin e ulët të grurit. Ai i bën thirrje ministrit që të kërkojë ndihmë profesionale nëse nuk arrin të llogarisë nevojat ushqyese të konsumatorëve.

Ky reagim vjen pas deklaratave të ministrit Peci për arritjet në sektorin e bujqësisë, të cilat Haliti i cilëson si prononcime megalomane dhe të pabazuara. /Kosova.info/

Go to TOP