OVL-UÇK dënon akuzat e Serbisë ndaj ish-luftëtarëve: Përndjekje politike
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj, siç e ka quajtur, “fushatës së vazhdueshme të institucioneve serbe dhe qarqeve të lidhura me to për kriminalizimin e luftëtarëve të UÇK-së”.
Në një reagim në Facebook, OVL-UÇK ka thënë se shënjestrimi i pjesëtarëve të Brigadave 111 dhe 121, si dhe njësive të tjera të UÇK-së, është përndjekje politike e motivuar nga urrejtja ndaj UÇK-së.
Sipas organizatës së veteranëve të luftës, Serbia nuk ka autoritet moral të flasë për krime lufte, ndërsa ka kërkuar nga ish-pjesëtarët e UÇK-së të shmangin kalimin nëpër territorin serb, duke u thënë se thirrjet për arrestime dëshmojnë, sipas tyre, vazhdimin e së njëjtës qasje politike ndaj luftës së Kosovës.
“Thirrjet e vazhdueshme për arrestimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së dëshmojnë se Serbia vazhdon të ndjekë të njëjtën qasje politike ndaj luftës çlirimtare të Kosovës. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme. Ajo hodhi themelet e shtetësisë dhe sovranitetit tonë. Çdo përpjekje për ta kriminalizuar do të hasë në rezistencë dhe kjo rezistencë nuk do të lëkundet”, thuhet ndër të tjera në reagimin e OVL-UÇK-së.
