Thirrje emergjente nga LBK: Kompanitë ftohen të ndihmojnë në përballjen me zjarret që po rrezikojnë jetën dhe pronën
Në përballje me situatën alarmante të zjarreve që kanë përfshirë zona të ndryshme të vendit dhe po rrezikojnë jetën dhe pronën e qytetarëve, Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka bërë një thirrje publike për mobilizim të sektorit privat.
LBK fton të gjitha kompanitë që kanë mundësi dhe pajisje të përshtatshme, që t’i bashkohen përpjekjeve për ndihmë komunave dhe qytetarëve në përballimin e kësaj emergjence.
“Çdo ndihmë është e mirëseardhur – qoftë me mjete teknike, pajisje speciale, staf ndihmës apo mbështetje logjistike. Solidariteti juaj mund të bëjë një ndryshim të madh në këtë situatë kritike,” thuhet në deklaratën e LBK-së.
Në një kohë kur temperaturat ekstreme dhe kushtet e thata po favorizojnë shpërthimin dhe përhapjen e zjarreve, bashkëpunimi dhe mobilizimi i të gjitha kapaciteteve – publike dhe private – është thelbësor për menaxhimin e situatës dhe mbrojtjen e qytetarëve.
LBK thekson se ky është një moment për përgjegjësi kolektive dhe solidaritet kombëtar.
“Bashkë për vendin tonë!” është thirrja që qëndron në zemër të këtij apeli.
Për informacione të mëtejshme rreth mënyrës së përfshirjes apo ndihmës konkrete, kompanitë mund të kontaktojnë përmes kanaleve zyrtare të LBK-së.
#Ndihmo #Solidaritet #MosHesht #Zjarret2025 /Kosova.info/
