Therjet e Kurbanëve vetëm në thertore të licencuara – AUV apelon për siguri dhe respektim të ligjit
Me rastin e festës së Kurban Bajramit, e cila këtë vit festohet të premten më 6 qershor, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë thirrje që therjet rituale dhe ato të zakonshme të kryhen vetëm në thertore të licencuara dhe të miratuara nga ky institucion.
Në një njoftim zyrtar, AUV thekson se lista e thertoreve të aprovuara është e publikuar në faqen zyrtare të agjencisë: https://auvk.rks-gov.net/bizneset/bizneset-e-aprovuara-per-ushqime-me-origjine-shtazore.
Qytetarëve të besimit islam u bëhet thirrje që therjet e kurbaneve t’i kryejnë vetëm në këto objekte të kontrolluara.
“AUV apelon për respektimin e ligjit dhe ruajtjen e shëndetit publik. Therja jashtë thertoreve përbën shkelje ligjore dhe paraqet rrezik për përhapje të sëmundjeve, sidomos në kushte të temperaturave të larta,” thuhet në apelin e Agjencisë.
Thertoret e licencuara janë nën mbikëqyrje shtetërore dhe garantojnë kontrolle veterinare para, gjatë dhe pas therjes. Ato janë të pajisura me frigoriferë dhe plotësojnë të gjitha kushtet teknike, sanitare dhe higjienike. Sipas AUV-së, kapacitetet e thertoreve janë të mjaftueshme për të përmbushur nevojat e qytetarëve në të gjithë vendin.
“Festoni sigurt dhe shëndetshëm”, përfundon njoftimi i Agjencisë së Ushqimit dhe të Veterinarisë. /Kosova.info/
