“The Brand & IP Forum 2026” nxjerr në pah sfidat e mbrojtjes së markave dhe lanson platformën e parë me AI në Kosovë
“The Brand & IP Forum 2026” solli në Prishtinë diskutime të rëndësishme për pronësinë intelektuale, duke mbledhur përfaqësues institucionalë, juristë dhe përfaqësues të bizneseve, ndërsa në kuadër të ngjarjes u lansua edhe platforma inovative markatregtare.com.
Një nga segmentet kryesore të forumit ishte paneli diskutues, i moderuar nga Adelina Palushi, ku u trajtuan sfidat aktuale të mbrojtjes së markave tregtare në Kosovë. Diskutimi u zhvillua në dy raunde dhe solli perspektiva nga legjislacioni, institucionet publike, sektori kreativ dhe biznesi.
Avdi Krasniqi paraqiti gjendjen aktuale të sistemit të markave tregtare dhe përpjekjet për digjitalizim, duke theksuar se një ndër problemet kryesore mbetet mungesa e analizës strategjike nga bizneset para aplikimit për regjistrim.
Nga ana tjetër, Fisnik Ismaili ngriti çështjen e vetëdijes së ulët në sektorin kreativ, duke vlerësuar se shumë krijues e kuptojnë rëndësinë e mbrojtjes vetëm pasi përballen me konflikte konkrete apo keqpërdorime të markës.
Ndërsa Florin Lata analizoi dallimet ndërmjet sistemit vendor dhe atij evropian, duke nënvizuar mangësi procedurale dhe faktin se Kosova ende nuk është e integruar plotësisht në disa mekanizma ndërkombëtarë të mbrojtjes së markave.

Perspektiva e biznesit u soll nga Arian Ramaj, i cili theksoi se marka nuk është vetëm identitet vizual, por aset ekonomik që ndërtohet përmes cilësisë, reputacionit dhe besimit të konsumatorit.
Në përfundim, panelistët u pajtuan se bizneset në Kosovë ende nuk e trajtojnë markën si aset strategjik dhe shpesh nuk ndërmarrin hapa të hershëm për mbrojtje ligjore.
Në kuadër të forumit u prezantua edhe markatregtare.com, platforma e parë me inteligjencë artificiale për menaxhimin e markave tregtare në Kosovë, e zhvilluar nga RAMAJ & Associates.
Platforma integron të dhëna nga Kosova, Bashkimi Evropian dhe Zvicra, duke u mundësuar përdoruesve kërkime dhe analiza në disa juridiksione njëkohësisht. Ndër funksionalitetet kryesore përfshihen kërkimi fonetik, vizual dhe semantik i markave, monitorimi automatik i buletineve, klasifikimi Nice i asistuar nga AI dhe gjenerimi i dokumenteve ligjore.
Sipas prezantuesve, platforma nuk synon të zëvendësojë profesionistët ligjorë, por të rrisë efikasitetin dhe saktësinë e punës së tyre, duke e bërë procesin më të lehtë edhe për vetë bizneset.
Lansimi i saj u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit të shërbimeve ligjore dhe zhvillimit të sektorit LegalTech në Kosovë.
