​Tahiri: Shkyçja e bizneseve është katastrofë ekonomike kombëtare

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar kundër shkyçjes nga rrjeti i energjisë elektrike, që ka filluar sot ndaj bizneseve, duke e cilësuar këtë situatë si një katastrofë kombëtare ekonomike.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka akuzuar Qeverinë Kurti për neglizhencë të rëndë ndaj sektorit privat dhe qytetarëve.

“Bizneset po mbyllen, punëtorët po mbesin pa punë! Ky nuk është dështim – është katastrofë kombëtare ekonomike,” ka shkruar ai.

Tahiri thekson se kjo situatë rrezikon mbi 100 mijë familje në Kosovë, për shkak të mungesës së furnizimit me energji dhe ndërprerjes së aktivitetit ekonomik të bizneseve të prekura.

Ai e ka quajtur vendimin për shkyçje si një “tradhti ndaj ekonomisë dhe qytetarëve të vendit”, duke kërkuar urgjentisht masa nga institucionet shtetërore për të parandaluar pasojat që mund të thellohen në ditët në vijim.

Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se ka filluar shkyçjen e mbi 1,400 pikave matëse të konsumatorëve komercialë që nuk kanë lidhur marrëveshje me ndonjë furnizues të licencuar nga ZRRE-ja, siç parashihet me vendimin e datës 13 gusht të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Kjo e fundit kishte njoftuar se shkyçjet do të nisin më 16 gusht. Kjo pasi shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka vendosur në favor të ZRRE-së.

Sipas njoftimit, mbi 600 njehsorë smart do të shkyçen nga distanca, ndërsa pjesa tjetër do të shkyçet fizikisht nga ekipet e KEDS-it në terren në të gjithë Kosovën.

Ndërkohë ka reaguar, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë rishpreh indinjatën dhe kundërshtimin e fuqishëm ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, e cila ka urdhëruar KEDS-in të nisë shkyçjen e qindra bizneseve që nuk janë pajtuar me kushtet e papranueshme dhe të dëmshme të ofruara nga kompanitë e licencuara, ndërkohë që pjesa tjetër kane bërë marrëveshje të përkohshme, janë në pritje të vendimeve të gjykatave dhe themelimit të institucioneve të reja të vendit, Kuvendit dhe Qeverisë.

Sipas dhomës së tregtisë, liberalizimi i dhunshëm rrezikon të lërë pa punë mbi 22 mijë punëtorë dhe të godasë rëndë ekonominë.

“Ky veprim arbitrar dhe i papërgjegjshëm, po rritë çmimet e konsumit të dy milionë qytetarëve të vendit dhe po rrezikon largimin nga puna të se paku 22 mijë punëtorëve, duke goditur rëndë familjet e tyre, ekonominë e brendshme dhe stabilitetin social në vend”, thuhet në reagim.


Go to TOP