Tahiri: Rusia u përpoq të portretizojë Kosovën si vend që keqtrajton pakicat
“Republika e Kosovës, pas sulmit terrorist në Banjskë, i sponsorizuar nga fqinjët tanë, po përballej me një tjetër sulm të sponsorizuar nga Rusia me propagandë dhe lajme të rreme”. Kështu ka deklaruar shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në sesionin vjeshtor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Ai tha se përmes propagandës Rusia është përpjekur të portretizojë Kosovën si një vend që keqtrajton pakicat dhe që kërkon destabilizim.
“Ju lutem, një propagandë e tillë dhe lajme të rreme nuk duhet të ndikojnë kurrë, as të mashtrojnë, asnjë nga institucionet e BE-së apo organizatat ndërkombëtare, veçanërisht këtë institucion të respektuar ku të gjithë jemi të pranishëm këtu”, ka thënë Tahiri.
Ai mes tjerash ka theksuar se rritja e propagandës në kontekstin e luftës në Ukrainë ka qenë një çështje serioze që duhet të shqyrtohet ende.
“Unë besoj se të gjithë ne duhet ta marrim seriozisht luftën e re. Luftën e demokracive kundër lajmeve të rreme dhe propagandës, që po bëhet një kërcënim serioz për sistemet tona, veçanërisht në vendet e Evropës Juglindore. Në vendet e Ballkanit Perëndimor, propaganda ruse është e pranishme. Ajo është serioze dhe ka paraqitur një sfidë të rëndësishme me qëllim destabilizimin politik dhe të sigurisë”, thënë Tahiri. /Kosova.info/