Tahiri: Rritja e çmimit të rrymës po e çon ekonominë drejt katastrofës – Qeveria po sillet me arrogancë, jo me përgjegjësi
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka ngritur alarmin për gjendjen e rënduar në sektorin e energjisë dukee cilësuar situatën si serioze dhe afër një katastrofe ekonomike për vendin. Në një reagim publik, Tahiri ka kritikuar ashpër qeverinë për mungesën e qasjes së planifikuar dhe të drejtë në procesin e liberalizimit të tregut të energjisë.
Sipas tij, rritja deri në 200% e çmimit të energjisë elektrike për prodhuesit po e shtyn shumë ndërmarrje të vogla dhe të mesme drejt bankrotimit. Ai thekson se këto biznese përfaqësojnë rreth 70% të punësimit në sektorin privat dhe kontribuojnë në më shumë se 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) të Kosovës.
“Liberalizimi pa tranzicion të drejtë, pa dialog, pa analizë të bazuar në evidencë dhe pa mbështetje është recetë për destabilizim,” ka deklaruar Tahiri duke e konsideruar këtë qasje të qeverisë si të papërgjegjshme dhe të rrezikshme për ekonominë kombëtare.
Ai ka bërë thirrje që qeveria të ndalë stigmatizimin e bizneseve si armiq të shtetit dhe të fillojë të dëgjojë zërin e atyre që punësojnë mijëra qytetarë të Kosovës. “Reforma kërkon përgjegjësi, jo arrogancë,” përfundon deklaratën e tij Tahiri. /Kosova.info/
