Tahiri për Sindikatat: E di si funksionojnë ato, unë jam pajtu të mospajtohem me ta

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës llogari për mosmiratimin e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Ai tha se përmes miratimit të këtij Ligji nuk ngrihen pagat, por rregullohen ato dhe jepen në mënyrë të dinjitetshme.

Më tutje, Tahiri ka thënë se kur ky Ligj u votua ka pasur lëvdata edhe nga Bashkimi Evropian.

“Ky ligj kur u votua, ka pas lëvdata nga BE. Sepse pas shumë viteve Qeveria ka kaluar një ligj që ka rëndësi të veçantë. Ka ndodhë diçka e pazakontë e pabesueshme një neglizhencë që nuk ka shpjegim tjetër ose mungesë vullneti ose pazotësi me u marrë me këtë temë të madhe. Pasi që nuk ka asnjë veprim të deritanishëm. Duhet me dhënë përgjigje disa përgjigje, Xhelal Sveçla dhe ai i Financave. A mundet zotëri Sveçla, si mund që një ligj të vendoset në agjendën legjislative një ligj e nuk konsultoheni me askënd, dhe nuk e trajtoni fare këtë ligj. Ku është ligji sot? Cila është përmbajtja e tij sot? A keni nda me sindikatat? A keni fol me ta? A bën me na tregu pse nuk ka ndodhë asnjë veprim, pse s’keni tregu në fillim që nuk do ta sillni në Kuvend”, ka thënë ai.

Tahiri ka diskutuar edhe për problemin e Qeverisë “Kurti”, me sindikatën e arsimit dhe atë të shëndetësisë.

Ai tha se nuk përfshihet në debatin mes tyre, por se e njeh mirë mënyrën se si funksionojnë ato.

Deputeti i AAK-së, ka përmendur edhe mospajtimet që i ka pasur me ta e sidomos me kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

“Ministri Hekuran Murati, tregona pse se ke bërë, a e ke pas si neglizhencë? S’e ke pas prioritet? Nuk dua të përfshihem në debatin mes juve dhe sindikatat. E di si funksionojnë ato, jam marrë me to më herët. Unë jam pajtu të mospajtohem me ta. Sa i përket debatit mes Qeverisë dhe sindikatave, këtu nuk përfshihem. Por ne kemi problem me 80 mijë shërbyes civil që do të përfitonin nga ky ligj që ju vetë e keni vendos. Ne kemi pas debat e kundërshtime të ashpra me Rahman Jasharin, e kemi diskutu temën e koeficientëve, njëjtë kemi fol me punëtorët e shëndetësisë. Kërkesa jonë është shumë e thjeshtë, përmes këtij debati mendojmë të arrijmë ta buxhetojmë ligjin e pagave”, ka thënë Tahiri.

Në Kuvendin e Kosovës është duke u zhvilluar debat parlamentar lidhur me çështjen e pagave në sektorin publik. 

Go to TOP