Sulmohen zyrat e LPD në Preshevë/ Musliu: Ndodhi në Pavarësinë e Kosovës, Lugina në gjendje të rëndë
Janë sulmuar sot zyrat e LPD-së në Preshevë. Në lidhje me këtë ngjarje, ka reaguar edhe zv kryetari i Bujanovcit, Shqiprim Musliu.
Musliu shprehet se incidenti ndodhi në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke thënë se Lugina e Preshevës është në një gjendje të rëndë e shqiptarët që jetojnë atje gjithashtu.
“Incidenti ndodhi në Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Kjo tregon se kush është Serbia. Lugina e Preshevës është në gjendje të rëndë. Përditë ballafaqohemi me inskenime të ndryshme e mendojmë si të ruajmë substancën kombëtare, gjuhën, kulturën e traditën, sepse Serbia ushtron presione diplomatike, vazhdon që të shfarosë çdo shqiptar në këtë vend, tenton që ta zbrasë këtë zonë.
Serbia, për çdo gjë që bën, eksperiment bën Luginën e Preshevës. Po përpiqen të na largojnë të rinjtë, kanë pasivizuar adresat. Ne shqiptarët në Serbi nuk trajtohemi njësoj siç trajtohen serbët në Kosovë. Mendoj se vetëm ndërkombëtarët mund të bëjnë ndryshime në këtë pjesë ku jetojnë shqiptarët”, deklaroi Musliu.
