Statovci: 2 Korriku, gurthemeli i shtetësisë së Kosovës dhe trashëgimisë së Ibrahim Rugovës

Kandidatja e LDK-së për deputete, Jeta Statovci, ka kujtuar 2 Korrikun duke e cilësuar këtë datë si një nga momentet më të rëndësishme në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.

Ajo theksoi se rruga drejt shtetësisë nuk ka qenë e lehtë dhe se duhet të kujtohen gjithmonë delegatët që më 2 korrik 1990, pavarësisht rrethimit nga policia dhe ushtria serbe, hodhën themelet e para të shtetit të Kosovës.

Statovci bëri të ditur se, së bashku me Presidenten Vjosa Osmani, mori pjesë në ceremoninë e zbulimit të bustit të Presidentit Historik Ibrahim Rugova në Klinë, ku u nderua roli i tij në udhëheqjen e popullit të Kosovës gjatë një prej periudhave më të vështira.

Sipas saj, busti i Rugovës është shenjë mirënjohjeje për trashëgiminë e tij shtetformuese dhe një zotim që vlerat mbi të cilat u ndërtua Republika e Kosovës do të ruhen dhe do t’u përcillen brezave të ardhshëm. /Kosova.info/


Go to TOP