Shteti evropian çon në nivel tjetër sanksionet ndaj Rusisë, ua ndalon hyrjen shtetasve të saj

Estonia po vendos sanksione kundër Rusisë duke ndaluar nga data 18 gusht hyrjen e qytetarëve rusë me viza turistike në vendin më verior të Balltikut si pasojë e luftës në Ukrainë.
Bashkimi Evropian, anëtar i të cilit është Estonia, tashmë ka ndaluar udhëtimet ajrore nga Rusia. Por rusët ende mund të udhëtonin me rrugë tokësore për në Estoni dhe me sa duket marrin prej andej fluturime për në destinacione të tjera evropiane.

Duke filluar nga 18 gushti, Estonia tha se do të ndalojë shumicën e rusëve që të hyjnë në vend përmes vizave të lëshuara nga autoritetet estoneze, duke ndërprerë kështu një rrugë të rëndësishme për në zonën Shengen të Evropës pa pasaporta. Ministri i Jashtëm Urmas Reinsalu tha të hënën se të gjitha vizat e vlefshme Shengen, me përjashtim të disa rasteve humanitare, do të anulohen.

“Bëhet fjalë për rreth mbi 50,000 viza të vlefshme dhe shumica dërrmuese e tyre nga 18 gushti do të bllokohen. Personat që kanë këto viza do të bllokohen të hyjnë në Estoni. Së dyti, ne po shqyrtojmë mundësinë për të mbyllur, kufirin ruso-estonez për të gjithë qytetarët rusë që hyjnë në zonën Shengen ose në territorin estonez”, tha zoti Reinsalu.

Kreu i rojes kufitare thotë se pas fillimit të luftës në Ukrainë, numri i qytetarëve rusë që kalonin kufirin ka vazhduar të rritet.

“Arsyeja kryesore ishte për shkak të pezullimit të fluturimeve midis BE-së dhe Rusisë. Qytetarët rusë që donin të shkonin në BE duhej të kalonte kufirin tokësor. Pra, në thelb do të thotë nga Finlanda, Estonia dhe Letonia. Dhe kur filloi sezoni i verës, shifrat po rriteshin gjithnjë e më shumë, për shkak të turistëve nga Federata Ruse që vinin në destinacione të ndryshme verore në Evropë”, thotë Ergert Belitsev.

Turistët rusë, që kalojnë kufirin në qytetin lindor Narva, thonë se qytetarët rusë nuk duhet të ndëshkohen për veprimet e qeverisë së tyre.

“Mendoj se nuk duhet të shkelen të drejtat e njeriut, pavarësisht nga të gjitha gjërat që po ndodhin. Njerëzit duhet të lëvizin lirshëm. Ashtu siç tha kancelari gjerman – nuk janë njerëzit fajtorë, por ata që kanë marrë vendime duhet të jenë përgjegjës. Njerëzit nuk duhet të jenë përgjegjës për to”, thotë shtetasi rus Boris.

“Është shumë keq, u mërzitëm shumë kur lexuam këtë njoftim, sepse Evropa është e qytetëruar dhe ne e shohim veten si njerëz të civilizuar dhe duam të lëvizim lirshëm. Tani po shkoj në Gjermani për të parë miqtë e mi dhe kemi miq në të gjithë botën. Është turp nëse Estonia mbyll kufirin. Kjo është shumë keq për ne”, thotë Ekaterina.

Muajin e kaluar Bashkimi Evropian ra dakord për raundin e shtatë të sanksioneve kundër Rusisë. Letonia, Lituania dhe Republika Çeke kanë ndaluar tashmë dhënien e vizave për shumicën e rusëve, ndërsa Finlanda dhe Estonia së fundmi kërkuan që BE-ja ta bëjë këtë përmes një veprimi të përbashkët.

“Ne do t’i bëjmë një propozim zyrtar Komisionit Evropian përmes paketës së 8-të të sanksioneve për të kufizuar gjithashtu, ose për t’i dhënë fund, në mënyrë efektive lëshimit të vizave Shengen dhe gjithashtu për të bërë një rishikim të vizave ekzistuese të vlefshme në të gjithë zonën Shengen”, tha ministri i jashtëm i Estonisë.

Go to TOP