Sopranoja Jaho bën thirrje për ndërtimin e një shtëpie të operës në Kosovë
Nesër në sheshin “Skënderbeu” do të mbahet gala koncerti që bashkon Filarmoninë e Kosovës me një nga yjet e skenës botërore të operës, sopranon Ermonela Jaho. Por, përtej emocionit të koncertit, Jaho, në një konferencë për media, bëri thirrje për ndërtimin e një shtëpie të operës në Kosovë.
Kosova duhet ta ketë shtëpinë e operës. Kështu tha sopranoja e famshme botërore, Ermonela Jaho, në Prishtinë. Ajo theksoi se talenti nuk mungon në Kosovë, por mungojnë kushtet. Jaho foli për rëndësinë e krijimit të një hapësire të përhershme për artin operistik, në mënyrë që të rinjtë të mos detyrohen të largohen për të ndërtuar karrierën e tyre.
“Uroj të jetë një ogur i mirë, atë gjë që ju pata thënë edhe në takimet që pata me Presidenten, Kryeministrin , me ministrin e Kulturës që të shtyjmë të gjithë së bashku për të ndërtuar këtë shtëpi, shtëpinë me shpirtave të muzikatëve shqiptar. Një shtëpi operistike që do të kurorëzonte kulturën e Kosovës, një shtëpi operistike, që do t’i mblidhte të gjithë këta talente. Unë edhe një takim me artistët e rinj, në fakultet, sa ishte mbushur salla plot dhe sa dashuri, sa energji, ku do t’i çojmë këta artist? Duhet të ju hapim dyert, dhe dyer e një teatri janë dyert e shpirtit. Kështu që unë vijë si artiste por edhe me një detyrim shpirtëror, moral dhe një detyrim patriotik për të shty të gjithë së bashku pse jo të ngrehim zërin të gjithë së bashku që ta bëjëmë të mundur që kjo shtëpi opertistike të ndërtohet, sepse është e domosdoshme”, tha sopranoja Jaho.
“Duhet si qytetar dhe qytetërimi ka lindur që në momentin kur njerëzit e shpellave ndihmonin njëri-tjetrin për të mbijetuar. Kosova duhet ta ketë shtëpinë dhe teatrin e operës, ku të gjithë artistët kanë të ardhmen e tyre. Mendoni fëmijët tuaj, mendoni njerëzit e kanë zgjedhur dhe nuk është e drejtë që në 2025-tën që fëmijët tanë të marrin valixhen dhe të bëjnë atë që kemi bërë edhe unë si Ermonela në 93-tën”, tha Abigeila Voshtina, koncert mjeshtër
Kryesuesja e Bordit të Operës së Kosovës, Rreze Kryeziu, e konsideron ardhjen e Jahos një ngjarje historike për skenën kulturore në Kosovë.
“Ardhja e Ermonelës është një moment historik dhe këtu nuk po flas vetëm për institucionin apo të komunitetit artisitik, por edhe në cilësinë e qytetares. Ermonela Jaho, nuk është apo nuk prezanton vetëm një emër të madh botërorë, por ajo ka dëshmuar që përmes fuqisë së mishërimit të fuqisë së artit të saj i ka tejkalu kufijtë, ka bashkuar njerëzit”, tha Kryeziu.
Te dielën në mbrëmje, duke filluar nga ora 20:30, në sheshin “Skënderbeu”, Filarmonia e Kosovës, në bashkëpunim me Operën e Kosovës dhe sopranoja Ermonela Jaho, nën drejtimin e maestro Jakopo Sipari di Pescasseroli, do të sjellin një mbrëmje operistike gala.
E lindur në Shqipëri, Jaho është një nga sopranot më të vlerësuara të kohës sonë. Ajo jeton në Nju-Jork dhe performon në skenat më prestigjioze të botës nga Metropolitan Opera deri te Opera e Vjenës. Ajo është e vlerësuar me çmimet më prestigjioze në botë, Këngëtarja më e mirë femër në operë Awards 2024, ‘Artistja e Vitit’ nga International Classical Music, Aards 2023, artistja më e mirë e huaj në Spanjë opera XXI.
