Skandal me faturat e rrymës: Pas 4 muajsh mungesë, KEDS-i i hedh në korridore si fletë pa vlerë!

Banorët po përballen me një situatë të papranueshme dhe shqetësuese sa i përket shpërndarjes së faturave të energjisë elektrike. Që nga muaji janar, shumë familje nuk kanë pranuar fare faturat e tyre në mënyrën e zakonshme duke krijuar paqartësi dhe pasiguri për pagesat mujore.

Por ajo që ka ndodhur së fundmi ka nxitur reagime edhe më të ashpra. Pas katër muajsh mungesë totale, faturat kanë filluar të shpërndahen në një mënyrë krejtësisht jo dinjitoze duke u hedhur në hyrje të korridoreve të ndërtesave, pa asnjë rend apo kujdes minimal.

Banorët shprehen të indinjuar me këtë praktikë duke e cilësuar si të turpshme dhe jo njerëzore. Ata theksojnë se për muaj të tërë kanë qenë në pritje të faturave, ndërsa tani përballen me një kaos të vërtetë, ku dokumente personale dhe të rëndësishme shpërndahen pa përgjegjësi.

Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje serioze për përgjegjësinë dhe profesionalizmin e institucioneve përkatëse. Qytetarët kërkojnë sqarime dhe një zgjidhje urgjente duke kërkuar që praktika të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen.

Në një kohë kur shërbimet bazë duhet të jenë shembull korrektësie, ky rast po shihet si një dështim i rëndë dhe një skandal që prek drejtpërdrejt besimin e qytetarëve. /Kosova.info/


Go to TOP