Sindikata e Policisë shkarkon kryetarin Imer Zeqiri

Sindikata e Policisë ka bërë të ditur se ka mbajtur sot kuvendin e përgjithshëm me të vetmen pikë të rendit të ditës për votimin e shkarkimit të kryetarit të SPK-së, Imer Zeqiri.

Sipas njoftimit, të pranishëm ishin 60 delegatë nga gjithsej 73 dhe në mënyrë unanime me vota të hapura të gjithë votuan PRO shkarkimit të kryetarit të Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

“Kuvendi i Përgjithshëm i SPK-së i siguron të gjithë anëtarët e Sindikatës së Policisë së Kosovës se kjo Sindikatë do të vazhdojë punën pa pengesa deri në Kuvendin e ardhshëm duke mbrojtur të drejtat e çdo punonjësi të Policisë së Kosovës, ngritjen e mirëqenies dhe kushteve të punës”, thuhet në njoftim.

Inspektorati Policor i Kosovës kishte rekomanduar më 10 maj suspendimin e një togeri policor nën dyshimin se ka kryer veprën penale të “fotografimit dhe incizimeve tjera të paautorizuara”.

Sipas njoftimit, pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se është kryer vepra penale respektivisht në zyrat e Sindikatës së Policisë së Kosovës, ku edhe ishte konfiskuar një telefon mobil. /Kosova.info/

Go to TOP