Sindikalistët e RTK-së i drejtohen Kuvendit: Transmetuesi publik në kolaps, 700 punëtorë pa paga

Kryesia e Sindikatës së Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) ka paralajmëruar se RTK po përballet me një krizë të rëndë institucionale dhe funksionale, pasi aktualisht mbetet pa ushtrues të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm, raporton Kosova.info.

Në njoftimin drejtuar Kuvendit të Kosovës, sindikata thekson se mandati i ushtruesit të detyrës ka skaduar që nga e premtja e kaluar, ndërsa Bordi i RTK-së është i paplotësuar, çka e bën të pamundur marrjen e çdo vendimi ligjor apo administrativ.

Sipas sindikatës, kjo situatë ka sjellë bllokim të plotë të funksionimit të transmetuesit publik dhe ka lënë rreth 700 punëtorë pa paga, duke krijuar pasoja të rënda sociale dhe ekonomike.

SPERTK kërkon nga Kuvendi që të ndërhyjë urgjentisht për të zhbllokuar gjendjen dhe për të siguruar funksionimin e rregullt dhe ligjor të RTK-së, në përputhje me përgjegjësinë publike ndaj qytetarëve./Kosova.info/

Go to TOP