Shtyhet fillimi i gjykimit në çështjen Januzi dhe të tjerët
Pas kërkesës së palëve në këtë çështje gjyqësore, seancat e planifikuara më 14 dhe 15 nëntor në gjykimin e Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës nuk do të mbahen.
Kështu u bë e ditur nga Gjykata Speciale përmes një njoftimi për media.
Tutje në njoftim thuhet se më shumë informacion do të jepet sapo të jetë i disponueshëm.
Të akuzuarit akuzohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe frikësim gjatë procedurave penale.
Konkretisht, në Aktakuzë pretendohet se midis 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, të udhëzuar nga Shala, Januzi dhe Bahtijari u takuan secili më vete me një dëshmitar në dy raste për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para DHSK-së, përfshirë përmes kërcënimit të rëndë dhe premtimit për dhuratë, apo për ndonjë formë tjetër përfitimi.
Historiku i çështjes gjyqësore Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari u arrestuan më 5 tetor 2023 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 6 tetor 2023. Në paraqitjen e tyre të parë më 9 tetor 2023, si Januzi dhe Bahtijari u vetë-deklaruan të pafajshëm në lidhje me të gjitha pikat e Aktakuzës.
Haxhi Shala u arrestua më 11 dhjetor 2023 në Kosovë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të DHSK- së më 12 dhjetor 2023. Në paraqitjen e tij të parë më 13 dhjetor 2023, Shala nuk u deklarua në lidhje me fajësinë ose pafajësinë. Në paraqitjen e mëtejshme më 15 dhjetor 2023, ai u vetë-deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Më 13 dhjetor 2023, ZPS-ja dorëzoi kërkesë për bashkimin e çështjes kundër Januzi dhe Bahtijari me çështjen kundër z. Shala. Më 8 shkurt 2024, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për bashkimin e dy çështjeve gjyqësore.