Shtimja ndan çmimin `Qytetar Nderi` për politikanin gjerman Hartmut Ganzke

Në Kuvendin e Komunës së Shtimes solemnisht i është dhënë çmimi “Qytetar nderi”, politikanit gjerman, Hartmut Ganzke. Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu e ka vlerësuar lartë kontributin dhe angazhimin e shtetit gjerman në ofrimin e ndihmës ndaj Kosovës në shumë etapa.

Kryetari i Shtimes ka thënë se falë raporteve të mira të krijuara me Ganzke dhe personalitete të tjera të politikës gjermane, janë në proces të realizimit të shumë marrëveshjeve, duke përfshirë shkëmbimin e nxënësve të dalluar, artistëve e sportistëve. Ai ka theksuar se si rezultat i këtij kontakti kanë siguruar donacione si makineri për transportimin e mbeturinave dhe një automjet për zjarrfikësit.

“Gjatë vizitave për më shumë se dy herë në Gjermani, kemi takuar zotrin Ganzke dhe zotrin Falk dhe shumë miq të tyre dhe aty e kam parë se këto personalitete nuk janë vetëm miq të shqiptarëve dhe të Kosovës, por janë edhe miq të komunës së Shtime. Sot, pikërisht falë këtyre njohjeve dhe raporteve miqësore të krijuara mes nesh jemi në proces të realizimit të shumë marrëveshjeve si ato të sigurimit të shkëmbimit të nxënësve të dalluar artistëve e sportistëve tanë, punëtorët e administratës që do të mësojnë nga praktikat më të mira nga kolegët e tyre gjerman. Po ashtu, edhe donacione të ndryshme ku deri tani kemi veçse një makineri që ka mbërritur për trajtimin e transportit të mbeturinave dhe një automjet për zjarrfikësit. Të gjitha këto nuk do të ishin të mundura pa ndihmën direkte të zotrit Ganzke dhe miqve të tij të shkëlqyeshëm”, ka deklaruar Aliu.

Ndërkaq, politikani gjerman, Hartmut Ganzke, i cili ka ardhur për vizitë në Shtime bashkë me delegacionin e tij, u shpreh i nderuar për marrjen e çmimit si “Qytetar Nderi”. Ai ka thënë se do të përpiqet maksimalisht që marrëdhëniet me këtë komunë të forcohen në të ardhmen.

Ganzke ka theksuar se ndihet krenar që Komuna e Shtimes nderoi atë me këtë çmim.

“Në këtë ditë, në këtë vend unë iu siguroj që vendet tona së bashku të shkojnë drejt një të ardhme më të mirë dhe që të dy kombet të ecin së bashku. Do të mundohem maksimalisht që marrëdhëniet me juve këtu në Shtime të forcohen dhe të avancohen në të ardhmen…Mund të jeni të sigurt që unë si politikan në shumë raste mbaj fjalime për raste më të ndryshme. Por, jeni të bindur nuk e kam pasur deri më tani një fjalim që dua të shpreh falënderimin tim më të thellë. Unë jam krenar që jam ‘Qytetar Nderi’ i Komunë së Shtimes”, është shprehur Ganzke. /Kosova.info/

Go to TOP